Ademi: Foda i ka duart e lira, nuk i përzihet askush në përzgjedhjen e futbollistëve

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ishte i ftuar në emisionin “A Play” në ATV, ku foli për ecurinë e Kombëtares së Kosovës dhe bashkëpunimin me trajnerin Franco Foda.
Ademi theksoi se puna e trajnerit matet me rezultate dhe se FFK ka një marrëveshje me Fodën, e cila po përmbushet. Ai pranoi se synimi i tij dhe i trajnerit është arritja e suksesit maksimal, ndonëse Kosova ende nuk ka shfrytëzuar potencialin e saj të plotë. “Puna e trajnerit është që shihet. E kemi një marrëveshje me të dhe është duke e përmbushuar atë. A e dua maksimumin e suksesit e dua, a don edhe Foda maksimumin e suksesit, sigurisht se e don. A e kemi marrë maksimumin e suksesit nuk e kemi marrë, a jemi në rrugë të mirë dhe a jemi duke punuar mirë jemi”, u shpreh Ademi.
Sa i përket përzgjedhjes së lojtarëve, Ademi njoftoi se trajneri Foda ka në dispozicion një listë me 63 futbollistë që ndiqen nga stafi teknik. Ai siguroi se askush nuk mund të ndërhyjë në vendimet e trajnerit dhe se përzgjedhja e lojtarëve i takon ekskluzivisht atij. “Edhe unë ndoshta do ta kisha ndonjë dëshirë që të jetë ndonjë futbollist që nuk është në listë, por e din Foda kënd e zgjedh, sepse aty nuk i përzihet askush. Ai i ka duart e lira dhe garantoj se s’ka njeri që mund t’i përzihet. Ne thjesht duam rezultat”, shtoi Ademi.
Duke folur për organizimin e ndeshjeve, kreu i FFK-së tha se Kosova radhitet në Top 20-she në botë për nivelin e lartë të organizimit dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë vërejtje apo dënim, përveç për fishkëllimit të himnit, që sipas tij paraprakisht ishte bërë nga kundërshtari.
Presidenti i FFK-së gjithashtu shprehu gatishmërind të tij për t’u përballur me kritika të argumentuara, por kritikoi ata që krijojnë agjenda para ndeshjeve të kombëtares për qëllime të tjera.
“Kombëtarja dhe federata janë të gjithëve, nuk janë të Agim Ademit dhe ekipit të tij. Nuk është e drejtë që për inate personale të dëmtohet futbolli,” theksoi ai.