Ademi: Puna jonë është vlerësuar nga UEFA, pllaketat nga Komiteti HatTrick mirënjohje për të gjithë ne

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur falënderim për administratën e FFK-së dhe të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e mbledhjes së Komitetit HatTrick, e cila u zhvillua me sukses të plotë dhe u vlerësua lart nga UEFA.
“Ndjehem i privilegjuar që e kemi organizuar kaq shpejt mbledhjen e Komitetit HatTrick në vendin tonë. U tregua një klasë e lartë organizimi dhe të gjithë u ndanë të kënaqur. Për këtë, falënderoj ekipin tim dhe administratën e FFK-së”, tha Ademi në emisionin “A Play” në ATV.
Një prej momenteve më të veçanta gjatë kësaj mbledhjeje ishte fakti se për herë të parë u dhanë dy plaketa në të njëjtën kohë, një akt që u vlerësua si historik. Megjithatë, Ademi e vlerëson këtë arritje si një sukses kolektiv.
“Nuk e konsideroj këtë si një privilegj për mua personalisht. Futbolli është lojë kolektive, dhe e tillë është edhe udhëheqja. Kjo është meritë e gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, e sidomos pjesës administrative të FFK-së”, theksoi ai.
Një prej lajmeve më të rëndësishme të ndara nga presidenti Ademi ishte progresi i shpejtë i ndërtimeve për kampin e stadiumit, që do të jetë i kategorisë së katërt.
“Shumë shpejt do të kemi edhe shumën tjetër finnciare që do të ndahet për kompletimin e kampit. Puna po ecën me ritme të shpejta. Nuk kemi një datë të saktë për përfundimin, por aktualisht 80% e projektit është realizuar. Kompanitë që e kanë fituar tenderin po punojnë me kapacitete të plota”, u shpreh Ademi.
Ai gjithashtu tregoi se aktualisht po bëhet analiza për kohën e ardhjes së materialeve të nevojshme, si p.sh. pjesa e ulëseve dhe pajisjeve të tjera, për të përfunduar projektin sa më shpejt.
“Pjesë e këtij projekti do të jetë edhe një terren i mbuluar për futsall, që do të ndihmojë zhvillimin e mëtejshëm të futsallit në Kosovë”, nënvizoi Ademi.