Malisheva me fitore bindëse ndaj Gjilanit, Altin Aliu shkëlqen me het-trik

Malisheva ka arritur një fitore bindëse ndaj Gjilanit me rezultat 4-1, në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën pasdite në kuadër të javës së 24-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1-0 për Malishevën, pas golit të Arbër Prekazit në minutën e parë të kohës shtesë.
Prekazi shënoi nga afërsia, pas një dalje të gabuar të portierit të Gjilanit, Kenan Haxhihamza, i cili nuk arriti ta largonte topin e harkuar nga Drilon Hazrollaj.
Në pjesën e dytë, Malisheva e rriti presionin dhe gjeti rrjetën edhe tri herë të tjera. Altin Aliu shënoi golin e dytë në minutën e 57-të, duke dyfishuar epërsinë për vendasit.
Gjilani u kundërpërgjigj shpejt dhe ngushtoi rezultatin në 2-1 me golin e Oltion Bilallit në minutën e 65-të.
Megjithatë, Altin Aliu vazhdoi shkëlqimin e tij në këtë ndeshje. Ai realizoi golin e tretë për Malishevën në minutën e 82-të dhe vetëm katër minuta më vonë kompletoi “hat-trick”-un, duke e çuar rezultatin në 4-1.
Në të dy rastet, portieri Haxhihamza gaboi në ndërhyrjet e tij, duke e bërë më të lehtë punën për sulmuesin e Malishevës.
Me këtë fitore, Malisheva merr tri pikë të rëndësishme në garën për pozitat e larta në tabelë, ndërsa Gjilani pëson një disfatë të rëndë që mund të ndikojë në objektivat e tyre sezonale.