February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Adil Maliqi nga mirënjohja te shpifjet – një bukëpërmbysës

Jemi mësuar tashmë me individë që sa janë pjesë e futbollit të Kosovës japin vlerësime maksimale, por sapo largohen nuk hezitojnë të hedhin baltë mbi institucionin që u besoi. Një shembull i tillë është rasti i ish-trajnerit të Kombëtares U19, Adil Maliqi.

Përpara se të emërohej trajner i Kosovës U19, Maliqi ishte një emër i panjohur në futbollin kosovar. Emërimi i tij erdhi si një hap i guximshëm nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, duke treguar mirënjohje ndaj mërgatës sonë dhe respekt për trajnerët shqiptarë që punojnë jashtë vendit. Në çdo grumbullim me kombëtaren e në çdo prononcim të tij, Maliqi e falënderonte Ademin për mundësinë dhe e lavdëronte vizionin e FFK-së.

Por sapo nuk iu vazhdua kontrata, i njëjti trajner filloi të bëjë deklarata kundër Federatës dhe kreut të saj, duke u rreshtuar në radhën e atyre që sulmojnë këtë institucion vetëm pse nuk janë më pjesë e tij.

Kosova U19 kishte një brez të artë me lojtarë premtues, gjë të cilën e pranonte edhe vet trajneri dhe pritshmëritë ishin të larta për një kualifikim në Kampionatin Evropian. Por nën drejtimin e Maliqit, ekipi dështoi në këtë objektiv, duke u eliminuar pas një humbjeje të rëndë 4:0 ndaj Austrisë në Prishtinë – falë një “stratetgjie” të dështuar të trajnerit –  rezultat ky që praktikisht mbylli rrugën e Kosovës për kualifikim, edhe pse në ndeshjen e fundit e Dardanët U19 shkëlqyen dhe e mundën kampionin në fuqi Spanjën 4:3.

Në vend që të merrte përgjegjësinë për dështimin e tij, Maliqi tani përpiqet të justifikohet me akuza të pabazuara ndaj FFK-së. Ai pretendon se ka pasur përzierje në përzgjedhjen e lojtarëve, por kur pyetet nëse do të kishte pranuar një kontratë të re nga FFK, përgjigjet pa hezitim: “Po.” Një hipokrizi e pastër, që tregon se problemi i tij nuk është mënyra e funksionimit të FFK-së, por fakti që ai nuk është më pjesë e saj.

Në vend se të tregohet mirënjohës për mundësinë që i dha Kosova, Maliqi zgjedh të shfaqet bukëpërmbysës dhe të ndjek rrugën e atyre që sulmojnë dhe shpifin kur nuk janë më pjesë e sistemit. Kjo tregon qartë karakterin e tij dhe arsyen pse nuk e meritonte të vazhdonte punën si trajner i Kosovës U19.

Në fund të fundit, futbolli i Kosovës nuk ka nevojë për njerëz që i shërbejnë vetëm interesave personale. Kosova ka nevojë për trajnerë dhe profesionistë që e duan ekipin dhe punojnë për të, pavarësisht rrethanave. Ata që e shohin përfaqësimin e Kosovës vetëm si një mundësi karriere për veten e tyre, për të kaluar më pas në kampin kundërshtar, nuk meritojnë të jenë pjesë e kësaj rruge.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *