Lucas Paquetá rrezikon përjashtimin e përjetshëm nga futbolli për trukim ndeshjesh

Lucas Paquetá mund të përballet me një ndalim të përjetshëm nga futbolli nëse nuk arrin të mbrohet me sukses në gjyqin kundër Federatës Angleze të Futbollit (FA). Mesfushori brazilian i West Ham-it akuzohet se ka ndikuar qëllimisht në marrjen e kartonëve të verdhë për të përfituar nga bastet e vendosura mbi këto ndëshkime, duke u përfshirë në trukim të ndeshjeve.
Sipas The Daily Mail, çështja ndaj Paquetás po shqyrtohet sipas standardeve të së drejtës civile, të njohura si “balanca e probabiliteteve”. Kjo do të thotë se FA nuk ka nevojë të provojë fajësinë e tij “përtej një dyshimi të arsyeshëm”, si në një proces penal, por mjafton të dëshmojë se është më e mundshme sesa jo që ai të ketë manipuluar kartonët e verdhë. Praktikisht, FA duhet të provojë se ka të paktën 51% mundësi që Paquetá të ketë ndikuar qëllimisht në këto episode.
West Ham e ka kundërshtuar ashpër këtë proces, duke e quajtur “të padrejtë” dhe “të tepruar”, pasi një vendim me një diferencë kaq të vogël probabiliteti mund t’i japë fund karrierës së një lojtari.
FA e akuzoi zyrtarisht Paquetán në maj 2024, duke pretenduar se ai ka marrë qëllimisht kartonë të verdhë në katër ndeshje të Premier League:
- Kundër Leicester City (nëntor 2022)
- Kundër Aston Villa (mars 2023)
- Kundër Leeds United (maj 2023)
- Kundër Bournemouth (gusht 2023)
Nëse shpallet fajtor, mesfushori brazilian mund të përballet me ndëshkimin më të rëndë, deri në përjashtimin e përhershëm nga futbolli.