FFK nikoqire e programit UEFA SHARE – Trajnim për zhvillimin e trajnereve vajza për kategoritë e reja

Federata e Futbollit e Kosovës për katër ditë radhazi është nikoqire e sesionit të rëndësishëm të programit UEFA SHARE, që ka për qëllim zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive të trajnerëve në nivel ndërkombëtar. Ky sesion, i cili ka filluar sot në hotel ‘Emerald’, si temë ka “Zhvillimin e trajnereve vajza për kategoritë e reja, teksa ka mbledhur një grup të veçantë pjesëmarrësish nga shtete të ndryshme. Pjesëmarrës në këtë trajnim janë 31 edukatorë nga Andora, Anglia, Hungaria, Izraeli, Lituania, Malta, San Marino dhe Suedia. Ata do t’i ndjekin punimet e këtij sesioni bashkë me edukatorët dhe trajnerët nga Kosova në një program të pasur dhe intensiv që do të zgjasë katër ditë. Ky program është një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja, si dhe për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit për vajza. Ky program do të ofrojë mundësi për të mësuar teknika dhe metoda të reja që mund të aplikohen në trajnimet për vajza, duke përfshirë aspekte si zhvillimi i aftësive, motivimi dhe mbështetja për avancimin e futbollisteve të reja.
Ky event është një hap i rëndësishëm për FFK-në dhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke kontribuar në forcimin e rrjetit të trajnereve dhe edukatoreve, dhe duke promovuar përfshirjen e vajzave dhe grave në futboll në një nivel më të lartë.
E disa nga pjesëmarrëset e këtij trajnimi u shprehën të kënaqura me mikpritjen dhe kushtet e punës.

Anna Signeul – eksperte teknike, UEFA:
Kam njohur disa kolegë nga Kosova dhe janë shumë miqësorë. Isha në Kosovë edhe për të shikuar ndeshje futbolli. Pra, e njihja Kosovën dhe mezi e prisja këtë event sepse e dija që do të ishit shumë mikpritës. Mendoj se organizimi është fantastik. Ky hotel është i shkëlqyer për të organizuar një punëtori si kjo. Këtu janë trajnerët e ekipeve kombëtare të të rinjve, trajnerët e ekipeve kombëtare të femrave nga këto shtatë vende, si dhe edukatorë trajnerësh, drejtues të futbollit për vajza dhe femra, apo drejtorë teknikë të futbollit për femra. Qëllimi dhe synimi kryesor për këto ditë nuk është të flasim për futboll. Do të flasim për cilësi të tjera që janë shumë të rëndësishme kur punon me vajza të reja dhe lojtarë të rinj, si femra ashtu edhe meshkuj. Por në fakt bëhet fjalë për aftësitë e buta: si komunikimi, vlerat tuaja, energjia juaj, gjuha e trupit, të gjitha aftësitë që keni, menaxhimi i kohës, energjia, përkushtimi, dëshira, pasioni. Të gjitha këto janë aftësi të buta dhe janë shumë të rëndësishme për t’i pasur dhe për t’i zhvilluar kur udhëhiqni njerëz të tjerë.

Sonja Kienzler – eksperte e zhvillimit të trajnereve, UEFA:
Së pari, ju falënderoj shumë juve dhe kolegët tuaj për organizimin e kësaj ngjarjeje. Jam e sigurt që të gjithë ne kami marrë një pritje shumë të ngrohtë. Mendoj se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë pjesëmarrësit që të ndajnë shembujt e praktikave. Mendoj se shumë trajnerë kanë shumë përvojë në fushë, kanë mësuar shumë për aftësitë teknike dhe më pas kanë ndjekur kurse trajnimi. Kështu që ata janë shumë të përgatitur në këto fusha. Por kur bëhet fjalë për aftësitë e buta, po, ka një lloj kërkese të lartë në këtë drejtim. Po, për të mësuar më shumë rreth lidershipit, për shembull komunikimi për të cilin po flasim. Po ashtu, qëndrueshmëria, ndërtimi i mentalitetit. Kështu që menduam se ishte e rëndësishme të organizonim një punëtori të tillë për të sjellë së bashku të gjitha vendet nga e gjithë Evropa, në mënyrë që të mësojnë nga njëri-tjetri, të përfitojnë nga përvojat e njëri-tjetrit dhe të marrin diçka me vete për t’u kthyer në vendet e tyre dhe për të menaxhuar ekipet e tyre kombëtare.

Caroline Sjöblom – Drejtore Teknike e Federatës Suedeze të Futbollit:
Jam shumë e lumtur që jam këtu. Nuk kam qenë kurrë më parë në Kosovë. Pikat e diskutimit sot mbi lidershipin efektiv dhe komunikimin janë shumë të vlefshme, sepse janë një pjesë kaq e rëndësishme e mënyrës se si zhvillohen lojtarët. Sa i përket Federatës Suedeze, mendoj se ne mbështetemi shumë te një edukim i mirë për trajnerët, duke përdorur shumë hulumtime dhe lidership si dhe duke ndërtuar parime mbi mënyrën si duhet të jemi si trajnerë, por gjithashtu edhe si duhet të udhëheqim një grup dhe një individ. Mendoj se një nga sukseset tona është që kemi lojtarë që ndihen shumë të përfshirë dhe ndihen se kanë përgjegjësinë mbi fushë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *