Turneu i dytë përkujtimor kushtuar Milaim Krasniqit – RTK ngre trofeun fitues

Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, u zhvillua turneu i dytë përkujtimor në futboll të vogël, i titulluar “Milaim Krasniqi 2024”, një nismë e organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Redaksia e Sportit e Radio Kosovës. Turneu, mbajtur me moton emocionuese “Mili, ti je mes nesh”, përkujton gazetarin dhe komenatorin e shquar të sportit kosovar, Milaim Krasniqi, i cili u nda nga jeta para dy vitesh.
Pjesëmarrës në këtë turne ishin ekipe nga RTK dhe RTSH, si dhe gazetarë sportivë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët vizituan varrin e Milaim Krasniqit, duke vendosur kurora lulesh në nderim të tij. Delegacionet u pritën edhe nga familja Krasniqi, ku atmosfera ishte përplot respekt dhe kujtime për jetën dhe kontributin e Milaimit.
Në ndeshjen revyale, RTK u shpall fitues duke mposhtur RTSH-në me rezultat të ngushtë 2:1. Golat për RTK i realizuan Zejnullah Ahmeti dhe Fatos Preniqi, ndërsa për RTSH shënoi Artur Imeraj. Lojtarin më të mirë të turneut, juria e përbërë nga Gani Kosumi, Defrim Methasani dhe Shaban Sinani, e shpalli Artur Imeraj të RTSH-së.
Kupën e fituesit kapitenit të RTK-së, Driton Bunjaku, ia dorëzoi Vjollca Krasniqi, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Turneu nisi me një moment të veçantë, kur topin e parë nga qendra e nisën Reini dhe Erjoni djemtë e Milaim Krasniqit.
Në turne morën pjesë personalitete të njohura nga fusha e gazetarisë dhe sportit, ndër ta: Ajet Shosholli, Ramadan Cimili, Ramiz Krasniqi, Jusuf Tortoshi, Arbnor Morina, babai i Edon Zhegrovës, Lulzim Zhegrova, kreu i Dardanëve, Lulzim Berisha, Xhevat Limani, Faton Zylbehari, Defrim Methasani, Altin Sulqe.


