Ademi në prag të shortit të Botërorit: Uroj të jetë sa më i favorshëm për Kosovën

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi së bashku me përzgjedhësin Franco Foda kanë udhëtuar në Cyrih, ku nesër do të bëhet tërheqja e shortit për Kupën e Botës 2026.
Ademi përmes një postimi në rrjetet sociale e ka vlerësuar këtë si një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar.
“Shpresoj që Kosova të ketë një short sa më të favorshëm, në mënyrë që të mund të jemi pjesë e këtij eventi madhështor. Motivi është i jashtëzakonshëm, pasi Kosova dëshiron të përfaqësohet në Botërorin e SHBA-së, një vend që e ka mbështetur fuqishëm shtetin tonë dhe që na ka ndihmuar të arrijmë deri këtu ku jemi sot”, ka shkruar Ademi.
Kreu i FFK-së tutje ka shkruar edhe për Kongresin e djeshëm të FFK-së, i cili u zhvillua në formë online, e ku u vendosën mikpritësit e dy kampionateve të ardhshme.
“Iu gëzuam lajmit që Kupa e Botës 2030 do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Maroko, por që njëkohësisht për nder të 100-vjetorit të këtij eventi, tre ndeshje do të luhen në Uruguai, Paraguai dhe Argjentinë, duke nisur nga Uruguai, ku u mbajt Botërori i parë në vitin 1930. Ndërkohë, në të njëjtin Kongres u vendos që Botërori 2034 do të zhvillohet në Arabinë Saudite, një tjetër vend mik i Kosovës. Uroj që Kosova te jetë në këto kampionate dhe të paraqesim vlerat tona të futbollit, por edhe si shoqëri”, ka shkruar tutje Ademi.