Vajzat e Kosovës fiton ndaj Shqipërisë në hapje të turneut “UEFA Development U15”

Dita e fundit e shtatorit solli emocione të veçanta në fushën e gjelbër për vajzat e Kombëtares U-15 të Kosovës, të cilat e nisën turneun ndërkombëtar “UEFA Development” në Tiranë, me fitore ndaj bashkëmoshatareve të tyre të Shqipërisë, me rezultat 5:3. Ky turneu i organizuar nga FSHF do të zgjasë deri më 5 tetor, teksa në të marrin pjesë edhe Estonia dhe Maqedonia e Veriut, njofton FFK.
Ndeshja nisi me një avantazh të hershëm për Shqipërinë, kur Ava Hyseni shënoi gol nga goditja e dënimit në minutën e 7-të. Megjithatë, Kosova reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 10-të. Pas një loje dinamike, Shqipëria arriti të dyfishojë avantazhin përmes Aldisa Kronajt dhe Reiana Jahelezit, duke e çuar rezultatin në 3:1.
Por, vajzat dardane nuk u dorëzuan dhe në minutën e 42-të, ngushtuan diferencën me një gol të rëndësishëm, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 3:2.
Në pjesën e dytë, Kosova hyri në fushë me energji të re. Verona Kadaj ishte ajo që barazoi rezultatin në minutën e 61-të, duke i dhënë besim bashkëlojtareve për përmbysje të rezultatit. Dhe kështu edhe ndodhi, pasi Olsa Kuçi dhe Erina Mehmeti shënuan për të vulosur fitoren 5:3. Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në ndeshjen e dytë të grupit, më 2 tetor, në orën 11:00, derisa në ndeshjen e fundit do të ballafaqohet me Estoninë, më 5 tetor, në orën 11:00.