Gjilani triumfon ndaj Prishtinës, regjistron fitoren e dytë në këtë edicion
Në një sfidë emocionuese të zhvilluar në kuadër të xhiros së 7-të të Albi Mall Superligës, Gjilani ka arritur të mposhtë Prishtinën, me rezultatin 2:1 në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Prishtina ishte e para që kaloi në epërsi me një gol të shënuar nga Albin Krasniqi në minutën e 22-të, duke lënë përshtypjen se do ta kontrollonte ndeshjen. Megjithatë, Gjilani u përgjigj fuqishëm dhe përmbysi rezultatin falë golave të Kushtrim Shabanit në minutën e 36-të dhe Besir Ramadanit në minutën e 82-të, i cili vulosi fitoren e dytë për skuadrën gjilanase në këtë kampionat.
Kjo fitore i jep Gjilanit një shtytje të rëndësishme para derbit me Dritën, duke e çuar në vendin e shtatë të tabelës me 8 pikë.
