Trajneri i Spartës për Albion Rrahmanin: Është “vrasës” në zonë

Jan Kuchta u largua nga Sparta Praga për te Midtjyllandi danez. Kuchta ishte shumë i rëndësishëm për sulmin e ekipit çek. Por Sparta Praga e ka të gatshëm zëvendësuesin për reprezentuesin e Çekisë.

Albion Rrahmani është bërë transferimi më i shtrenjtë në histori të Sparta Pragës. Dhe që në nismë ka dëshmuar se milionat u investuan drejt në të. 

Pasi debutoi me gol ndaj Malmos në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, Rrahmani debutoi me gol e asistim në kampionatin çek. Të shtunën mbrëma Sparta Praga fitoi 2:0 në udhëtim ndaj Hradec Kralove. Sulmuesi kosovar asistoi në golin e parë, ndërsa e shënoi të dytin me asistim të Ermal Krasniqit. Fushën e la pas vetëm 50 minutave lojë, ndërsa trajneri i kampiones çeke tha se Rrahmani luajti për aq sa kishte forcë.

Te Sparta presin shumë nga 24-vjeçari. Dhe nëse Rrahmani vazhdon me formë si në dy ndeshjet e para, tifozët e zjarrtë të Spartas do ta harrojnë shpejtë Kuchtan, emrin e të cilit e thirrën në ndeshjen e së shtunës.

“Më ka pëlqyer për aq kohë sa kishte energji dhe forcë. Nuk kemi pasur shumë kohë të ushtrojmë së bashku pasi kemi vazhdimisht ndeshje. Por ai është i qetë me topin, ka përfundim të mirë të aksioneve, pamje të mirë për lojën dhe i sheh mirë bashkëlojtarët në fushë”, ka thënë trajneri i Spartës, Lars Friis për Rrahmanin. “Ai natyrisht duhet të mësohet me stilin tonë të lojës, intensitetin dhe bashkëlojtarët. Është lojtar ekipor. Mezi pres të punoj me të më shumë”, ka shtuar trajneri i kampionit çek.

Goli i Rrahmanit ishte shumë i bukur. Ai gjuajti saktë për 2:0, në fund të pjesës së parë. Por në pjesën e dytë luajti vetëm pesë minuta, ndonëse ka dashur të qëndrojë më gjatë në fushë.

“Kishim në plan që ta zëvendësojmë atë pas një kohe të shkurtër. Ai ka punuar shumë fort dhe më pas ishte i shpenzuar. Kur ai mbeti në fushë pas një dueli, vendosa ta zëvendësojë menjëherë”, ka vazhduar trajneri danez. 

Friis më pas kishte një bisedë me Rrahmanin, pasi sulmuesi u largua nga fusha.

“Fola me të edhe gjatë pushimit. Ai punoi mirë në fushë. Por mendoj se kur vjen në një klub të ri dhe vend të ri, duhet të shijojmë momentet kur gjërat shkojnë mirë”, ka shpjeguar trajneri i Sparta Pragës.

Edhe bashkëlojtarët kanë pranuar se Rrahmani nuk lëshon rastet në zonë.

“Ai nuk është përshtatur ende me ne plotësisht, por ka bërë punë të madhe. Ai është ‘vrasës’ i jashtëzakonshëm në zonë. Për këtë me gjasë edhe e solli Sparta”, ka thënë Tomash Wiesner, mbrojtës i kampionit çek.

Mediat çeke kanë shkruar se Sparta tashmë e ka zëvendësuesin e denjë për Kuchtan.

Por Rrahmani në fakt mund të jetë dukshëm më i mirë se Kuchta, nëse vazhdon me gola si te Rapidi i Bukureshtit.  

Tashmë Rrahmani e Ermal Krasniqi i bashkohen Kosovës për ndeshjet me Rumaninë dhe Qipron. Me formën aktuale, Rrahmani pritet të ketë minutat e tij në përfaqësuese./Koha.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *