Llapi ankohet në Nuzën, thotë se nuk i ofron më siguri në Podujevë!!!

Klubi i futbollit Llapi është ankuar në gjykimin e ndeshjes ndaj Prishtinës nga referi Genc Nuza. Klubi nga Podujeva ka deklaruar se nuk do t’i ofrojë siguri Nuzës në Podujevë, po që se nuk merren masa ndaj tij.

Llapi të shtunën u mposht 3:2 në kryeqytet.

Në një reagim në Facebook, Llapi ka thënë se nuk u mposht nga Prishtina, por nga gjyqtari.

“Sot ishte një ndeshje ku futbollistët e Llapit e lanë shpirtin në fushë, luftuan dhe dëshmuan dy herë se e meritonin fitoren. Por ajo që u pa që nga minuta e parë ishte një referim tendencioz, i padrejtë dhe jo korrekt, pikërisht nga një gjyqtar që mban stemën e FIFA-s. Kjo është për t’u shqetësuar. Të gjitha ndërhyrjet ishin në favor të Prishtinës. Një gjykim i ndeshjes si ky nga Genc Nuza tregon se kampionati nuk do të shkojë mbarë pa pasoja, ku më pas do të jetë vonë, sepse djersa e kryesisë, sponsorëve, shtabit teknik dhe e lojtarëve do të humbet qëllimisht nga akterët e ndeshjes”, thuhet në reagimin e Llapit.

Llapi ka kërcënuar se po që se nuk merren masa ndaj treshes së gjyqtarëve “atëherë do t’ju themi se do të keni kujdes të shtuar kur udhëtoni në Podujevë, sepse askush nuk do të qëndrojë duarkryq ndaj padrejtësive të bëra”.

Klubi është ankuar për përjashtimin e trajnerit Tahir Batatina.

Teksa ka akuzuar Nuzën për ndihmë Prishtinës, Llapi ka thënë se ky gjyqtar “nuk i duhet futbollit të Kosovës, sepse tash kampioni duhet të zgjidhet në fushën e lojës dhe jo në këtë mënyrë”.
Në fund Llapi ka bërë thirrje që Nuza të mos i referojë më klubit.

“Kryesia e klubit kërkon që çfarëdo gjyqtari t’i referoj Llapit, por asnjëherë Genc Nuza, sepse jo që nuk di, por ka qëllime ndaj Llapit prej vitesh të tëra. Kjo humbje dhemb, sepse na mposhti arbitrimi, jo kundërshtari. Prandaj, nëse Federata nuk merr masa, ne si klub nuk do të sigurojmë siguri për Genc Nuzën nëse vjen në Podujevë, sepse sot ishte aktori i lojës së futbollit. Mundimi dhe djersa shumëvjeçare dhe kontributi në futboll nuk duhet të humben nga një gjyqtar. Nëse Gramos Shala u largua nga referimi për një gabim në një ndeshje, Genc Nuza duhet të largohet përjetë nga futbolli”, ka përfunduar reagimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *