Agim Ademi prezanton certifikatën që dëshmon se nuk ka dënim ndaj tij, i demanton zërat dezinformues

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi i ka demantuar zërat se ai nuk ka arritur të sigurojë certifikatën e gjykatës, e cila dëshmon se nuk ka dënim të formës së prerë. Ai nëpërmjet profilit të tij në Facebook ka reaguar ndaj zërave të tillë dezinformues, duke e publikuar edhe certifikatën e kërkuar nga Komisioni përkatës i licencimit të federatave në MKRS.
Reagimi i plotë i Ademit:
Reagim ndaj dezinformatave që kinse nuk e kam certifikatën nga gjykata që dëshmon se nuk kam dënim të plotfuqishëm.
Duke pas parasysh që ditëve të fundit po dezinformohet publiku me të pavërteta rreth një dokument-konfirmimi nga gjykata që dëshmon që nuk kam dënim të plotfuqishëm, e që është një nga kushtet për plotësimin e dokumantacionit për rilicencim të FFK-së dhe çdo federate tjetër, edhe pse nuk jam personalitet që i demantoj shpesh dezinformatat e tilla, sidomos kur vijnë nga njerëz që nuk paraqesin as nuk përfaqësojnë asgjë në futboll, kësaj radhe e ndjej për obligim të bëj një sqarim për opinionin se nuk ka asgjë të vërtetë nga dezinformatat e disa individëve (fatkeqësisht përfshirë edhe zyrtar të MKRS-së) që me pompozitet shpifin e dezinformojnë opinionin me të pavërteta.
Udhëzimi Administrativ përkatës i Ministrisë, ndër të tjera kërkon: dëshmi nga gjykata që organet drejtuese nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Konform kësaj kërkese nga unë ju është dërguar vërtetim nga gjykata kompetente, ku është dëshmuar që nuk kam dënim nga gjykata. Pastaj komisioni ka kërkuar certifikatë e jo vërtetim. Përkundër që nga Zyra Ligjore kjo kërkesë shtesë e komisionit është konsideruar e pabazuar, unë megjithatë e kam respektuar edhe këtë kërkesë dhe e kam siguruar edhe certifikatën e kërkuar dhe të njëjtën ia kam dërguar edhe komisionit dhe po e prezantoj edhe këtu.
Pra, nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që është trumbetuar nga persona jo-kompetent, që kinse unë nuk kam ofruar dëshmi nga gjykata, që organet drejtuese nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Unë si kryetar dhe çdo person e organ tjetër i FFK-së, i plotësojmë të gjitha kushtet ligjore për licencim të FFK-së. Në ditët në vijim, besojmë, se do të përmbyllet ky proces, në mënyrë që mos t’u lihet më hapësirë dezinformatave të tilla.
Me respekt,
A.A.

