Real Madridi nuk është i interesuar për Mbappe, ka dy dëshira të tjera

Pas paraqitjes së shkëlqyer në Botërorin e Katarit, ku fitoi “Këpucën e Artë” me tetë gola, Kylian Mbappe lidhet sërish fort me një transferim te kampioni spanjoll dhe europian, Real Madrid. Superylli 24-vjeçar verën e kaluar ishte shumë pranë kalimit te “klubi mbretëror”, por në momentin e fundit vendosi të nënshkruajë kontratë të re me Paris Saint-Germain.


Mirëpo, edhe para Botërorit të Katarit, pati shumë raportime se sulmuesi ndihej i zhgënjyer që klubi nuk kishte përmbushur premtimet e bëra në rinovimin e kontratës dhe kaq mjaftoi që ai të dëshironte të largohej.

Këto spekulime u intensifikuan edhe më shumë pas paraqitjes së tij të shkëlqyer në Botëror.

Megjithatë, siç thekson prestigjiozja spanjolle “Marca”, Real Madridi nuk ka ndërmend të rinovojë interesimin për Mbappe-n e ​​mbiçmuar. Në vend të kësaj, drejtuesit e klubit në ‘Santiago Bernabeu’ duan të përdorin paratë që do të kishin shpenzuar për Mbappe-n për të nënshkruar me një mesfushor.

Jude Bellingham i Borussia Dortmundit besohet të jetë objektivi numër një, i ndjekur nga afër nga lojtari më i mirë i ri në Kupën e Botës në Katar, Enzo Fernandez i Benfica-s.

Florentino Perez do të përpiqet që të paktën një nga dy futbollistët e mëdhenj të arrijë në ‘Santiago Bernabeu’ verën e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *