Komisioni Disiplinor merr vendimet për Prishtinën dhe përfaqësuesin e Llapit

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë publike vendimet e Komisionit Disiplinor dhe të Etikës lidhur me shkeljet e konstatuara në javën e parë të Albi Mall Superligës për edicionin e ri garues 2024-2025. Gjatë mbledhjes së mbajtur më 16 gusht 2024, komisioni, i përbërë nga kryetari Metë Çeku dhe anëtarët Avni Shala dhe Donat Lushaku, shqyrtoi raportet e ndeshjeve dhe incizimet televizive për të marrë vendimet përkatëse.
Në fokus ishte FC Prishtina, e cila u dënua për një lëshim në organizimin e ndeshjes kundër Suharekës. Në minutën e 85-të, një tifoz i ri, rreth moshës 12 vjeçare, hyri në fushën e lojës. Megjithëse u largua brenda 30 sekondash nga stafi i sigurisë, ky incident u raportua nga delegati i ndeshjes dhe Prishtina u ndëshkua me masën “Vërejtje e fundit”, bazuar në nenin 52 të Rregullores Disiplinore.
Një tjetër vendim i rëndësishëm i KD-së përfshin Muhamet Rexhepin, përfaqësues zyrtar i KF Llapi, i cili u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutat e fundit të ndeshjes kundër Gjilanit. Rexhepi u penalizua për sjellje jo sportive, përfshirë kundërshtimet verbale dhe gjeste trupore ndaj gjyqtarëve. Për këtë shkelje, ai u dënua me pezullim nga detyrat zyrtare për 6 ndeshje zyrtare, bazuar në nenin 40 të Rregullores Disiplinore.