Belgjika nuk gabon më, mposht Rumaninë

2 min read

Kombëtarja e Belgjikës ka shënuar fitoren e parë në Kampionatin Evropian ‘Gjermania 2024’, pasi e mposhti Rumaninë, me rezultat 2:0. Ndryshe nga takimi me Sllovakinë , ku djemtë e Tedeskos dështuan plotësisht, sonte ata goditën me të gjithë artilerinë dhe treguan se me të drejtë konsideroheshin si një nga favoritët kryesorë për trofeun para fillimit të Euro 2024.

Belgët e nisën ndeshjen në Këln ashtu siç ëndrronin – me një gol në fazën e hershme. Pas vetëm dy minutash lojë, “djajtë” zhbllokuan rezultatin, pasi Tielemans shënoi me saktësi nga gjashtëmbëdhjetë metra dhe solli gëzim të madh për tifozët belgë.

Rumunët, ende të pa rikuperuar nga tronditja fillestare, ishin gati të futeshin në probleme edhe më të mëdha, por Lukaku vazhdoi serinë “e zezë” në garat e mëdha dhe nuk arriti të shënonte sërish nga pozicioni i pastër.

Belgët luajtën sikur me një frymë, De Bruyne, Onana dhe Tielemans sunduan në fushë, por sulmi nuk arriti të përfitonte. Rastin e fundit në pjesën e parë e pati ylli i Manchester Cityt , Doku, i cili goditi fort, por Nita ishte në lartësinë e detyrës dhe ndërhyri me sukses.

Dhe në fillim të pjesës së dytë, rastet u rreshtuan para portës rumune. Lukaku, Doku dhe De Bruyne kërcënuan sërish, por pa sukses. Në minutën e 64-t anëtari i Chelseat më në fund “theu murin” dhe gjuajti në rrjetën rumune. Por goli nuk i vlejti sepse VAR-i zbuloi se ishte në pozitë jashtëloje për çështje centimetrash.

Pas serisë së rasteve të “djajve”, në minutën e 69-të Denis Mann doli i vetëm përballë portierit belg, por Castells u pozicionua mirë dhe e shpëtoi portën e paprekur. Në fund të ndeshjes, portieri belg u gjend në një situatë të pazakontë, teksa regjistroi një asistim. Castells dërgoi një top të gjatë që pas një gabimi të mbrojtjes rumune, përfundoi në këmbët e De Bruyne, i cili nuk e shpërdoroi këtë mundësi dhe shënoi për 2-0.

Deri në fund të ndeshjes, Belgjika pati disa raste të tjera, por rezultati mbeti i pandryshuar. Në xhiron e ardhshëm Belgjika do të përballet me Ukrainën, ndërsa Rumania pret takimin me Sllovakinë. Pas dy xhirove të luajtura, të gjitha skuadrat e këtij grupi kanë nga tre pikë, që do të thotë se na pret një raund final super emocionues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *