Bekim Isufi i mbledh në grumbullim treditor Dardanët U20

2 min read

Kombëtarja e Kosovës U20 ka nisur sot grumbullimin e radhës treditor në Kampin Nacional në Hajvali, ku trajneri Bekim Isufi dhe stafi i tij kanë në dispozicion 25 futbollistë nga kampionati vendor. Ky grumbullim synon të përzgjedhë dhe të vlerësojë lojtarët e rinj, të cilët janë potencial për të ardhmen e ekipit kombëtar. Përzgjedhësi Bekim Isufi është shprehur i kënaqur me grumbullimin dhe cilësinë e lojtarëve të ftuar. “Kemi ftuar futbollistë për të cilët kemi menduar që kanë qenë në formën më të mirë dhe kanë dhënë më së shumti përgjatë këtij kampionati. Jemi të kënaqur. Vërehet një disponim i mirë tek lojtarët dhe dëshirë për t’u dëshmuar. Ka cilësi në këtë grupmoshë, por mbetet të punohet”, ka theksuar Isufi. Ai gjithashtu apeloi tek klubet që lojtarëve të rinj t’u jepet më shumë mundësi. “Duhet t’u jepet mundësia më shumë nëpër klubet e tyre lojtarëve të rinj, pasi kanë pak hapësirë dhe kjo ndikon detyrimisht jo vetëm te kjo grupmoshë por edhe tek grupmoshat e tjera. Andaj apeloj që t’u besohet lojtarëve të rinj dhe t’u jepet mundësia, në mënyrë që edhe ne pastaj të kemi më lehtë për t’i ftuar dhe për t’ia dhënë rastin për lojë në ekipet kombëtare”, ka shtuar Isufi. Një nga lojtarët e ftuar, Dion Gallapeni, shprehu ndjenjat e tij për pjesëmarrjen në këtë grumbullim. “Fillimisht është nder e pastaj edhe ndjenjë e mirë të jesh pjesë e Kombëtares së Kosovës. E falënderoj trajnerin Bekim Isufi për besimin e dhënë”, ka theksuar Gallapeni. Grumbullimi treditor i Kombëtares U20 është një hap i rëndësishëm për të identifikuar dhe zhvilluar talentet e reja që do të përfaqësojnë Kosovën në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *