Ademi uron vashat e Kombëtares U19: Ky sukses dëshmon talentin tuaj dhe punën e trajnereve

Presidenti i FFK-së Agim Ademi ka përgëzuar vashat e Kombëtares së Kosovës U19 për triumfin e arritur në Gjibraltar në kuadër të Grupit 3 në Ligën B.
Dardanet realizuan tri fitore në këtë cikël kualifikues, duke e mposhtur Gjibraltarin, Luksemburgun dhe Izraelin dhe në këtë mënyrë siguruan kalimin në Ligën A për për ciklin e ardhshëm kualifikues.
“Dardanet e reja patën paraqitje fantastike në kuadër të Grupit 3 në Ligën B në rrethin e dytë të kualifikimeve për Evropianin 2024, duke realizuar tri fitore.
Pas fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Luksemburgut, vashat e drejtuara nga Albina Rrahmani realizuan fitore edhe në ndeshjen e tretë dhe vendimtare kundër Izraelit, me rezultat 2:1, duke na bërë krenarë për këtë arritje.
Ky sukses dëshmon talentin e lojtareve tona, por edhe punën e mirë që ka bërë stafi i trajnereve për këtë cikël kualifikues.
Përgëzoj vajzat e Kombëtares dhe stafin e trajnereve për triumfin në Gjibraltar dhe i inkurajoj të vazhdojnë të punojnë me përkushtim drejt sukseseve të radhës”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.