July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 4, 2024

Dita e finales Argjentinë-Francë

3 min read

Dita e madhe erdhi. Finalja e Kupës së Botës “Qatar 2022” zhvillohet sot në orën 16:00. Gjithçka në prag të kësaj finaleje të nxehtë është fokusuar në betejën e numrave 10: argjentinasit Lionel Messi dhe francezit Kylian Mbappe.

Messi – magjistari apo edhe siç njihet ndryshe edhe si “Jashtëtokësori”, vlerësohet si më i miri që ka parë ndonjëherë bota e furbollit, por ai po shkon drejt pensionimit. Në anën tjetër Mbappe, një talent i jashtëzakonshëm që ka shënuar vetëm dy gola më pak në Kupën e Botës se sa Messi, është vetëm 23 vjeç dhe është gati të marrë barrën e 35-vjeçarit argjentinas, si lojtari më i mirë në botë.



Por, natyrisht, kjo finale është shumë më tepër se sa përballje individuale Messi-Mbappe. Ekipet e Argjentinës në vitet e kaluara mund të jenë ndërtuar tërësisht rreth Messit, por me kalimin e viteve, roli i tij në “La Albiceleste” është zhvilluar përtej atij të makinerisë së golit, duke fuqizuar shokët e tij të skuadrës dhe duke pritur për atë moment të përsosur për të shpalosur pak magji. Dhe kjo funksionon. Futbolli është një lojë ekipore dhe Argjentina e Messit e kupton këtë, raporton RTK.

Po kështu Franca është më shumë se Mbappe. Nëse tek “Gjelat” do të kishin luajtur disa nga superyjet e tyre botërorë, si Karim Benzema i lënduar, Paul Pogba dhe N’Golo Kante, nuk ka asnjë garanci se kampionët e 2018-s do të kishin arritur deri këtu. Për shkak të mungesës së tyre, vëmendja e shtypit botëror, si dhe ajo e linjave mbrojtëse të kundërshtarëve gjatë gjithë turneut, ka qenë e fokusuar tek Mbappe. Dhe kjo u ka lejuar Antoine Griezmannit, super të gjithanshëm dhe sulmuesit veteran Olivier Giroud kohën dhe hapësirën që të shkëlqejnë.

“Finalja është Argjentina kundër Francës dhe jo Messi kundër Mbappe,” u tha gazetarëve trajneri i Argjentinës Lionel Scaloni.

“Të dyja skuadrat kanë armët e nevojshme dhe ndeshja mund të vendoset nga lojtarë të tjerë dhe jo domosdoshmërisht nga ata të dy”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Franca u përforcua të shtunën, me disa lojtarë që ishin jashtë fushës ditët e fundit si pasojë e një virusi. Adrien Rabiot dhe Dayot Upamecano munguan në fitoren 2-0 në gjysmëfinale ndaj Marokut, ndërsa Raphael Varane, Ibrahima Konate dhe Kingsley Coman munguan në dy ditët e fundit të stërvitjes. Por të pesë lojtarët do të jenë në dispozicion të trajnerit Didier Deschamps – një nga tre të vetmit që kanë fituar Kupën e Botës edhe si lojtar edhe si trajner.

“Ekipi i Francës ka qenë gjithmonë për mua gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetën time profesionale”, u tha Deschamps gazetarëve të shtunën. “Tashmë kam pasur një përvojë të madhe si lojtar dhe tani është privilegji im ta përjetoj këtë ndenjë si trajner”, ka shtuar ai.

Argjentina dhe Franca kanë fituar dy herë Kupën e Botës në historinë e tyre – “Gauçosët” fituan në 1978 dhe 1986, derisa “Gjelat” më 1998 dhe 2018. Megjithatë, tifozët në Doha duket se besojnë se dita e Argjentinës për kurorën e tretë ka ardhur dhe stadiumi “Lusail” me kapacitet prej gati 90,000 ulësesh do të mbizotërohet nga argjentinasit.

Mundësia që Messi të fitonte përfundimisht një Kupë Bote në turneun e tij të fundit ka bërë që të ketë fluturime shtesë të tifozëve të Argjentinës në Katar, me të paktën 40,000 argjentinas që vlerësohet se do të jenë në stadium.

Pa dyshim një finale për t’u shijuar sonte nga të gjithë, teksa RTK vjen me transmetim ekskluziv dhe me komentim nga vendi i ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *