Drita rikthehet fuqishëm për titull, Llapi dështon ta kapë pozitën e parë

Llapi nuk ka arritur t’i gëzohet fitores së shumëdëshiruar përballë Prishtinës në stadiumin “Zahir Pajaziti” të stërmbushur, në kuadër të javës së 22-të në Albi Mall Superligë. Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e ka lëshuar rastin që me fitore ta zbresë nga froni kampionin në fuqi, Ballkanin, i cili vazhdon të kryesojë edhe pas kësaj jave me një pikë më shumë se Llapi. Ndeshja në ‘Zahir Pajaziti’ u karakterizua me lojë të fortë, por me raste të pakta shënimi. E barazimet e Ballkanit dhe Llapit i ka shfrytëzuar Drita, që para tifozëve të vet ka shënuar fitore në duel me Dukagjinin, me rezultat 2:0, duke u rikthyer fuqishëm në garën për titull. Tani skuadra gjilanase ka vetëm dy pikë më pak se lideri i renditjes. Raddy Ovouka në minutën e 55-të shënoi për 1:0, kurse Samson Ebuka Obioha, e dyfishoi epërsinë në minutën e 71-të. Ndërkohë përballja e dy skuadrave të fundit në renditje, Lirisë dhe Fushës Kosovës, e zhvilluar në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren është mbyllur pa fitues dhe pa gola. Mysafirët patën mundësi të artë për të arkëtuar tri pikë, por gjuajtjen e Florent Hajdarit nga pika e bardhë e priti portieri Stivi Frashëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *