Llapi fiton superndeshjen, ia shkakton Ballkanit humbjen e parë sezonale

Llapi ka shkëlqyer në një përballje emocionuese në shtëpi, duke triumfuar ndaj kampionit në fuqi, Ballkanit, me rezultat prej 5:3, në një super ndeshje të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Ndeshja nisi me shënime nga të dyja anët, por Llapi ka arritur të marrë epërsinë e dyfishtë falë golave të shënuar nga Hamdi Namani dhe Muhamet Hyseni. Ballkani, megjithatë, nuk ka pranuar të mbetet prapa dhe është kthyer me dy gola të shpejtë nga Gripshi dhe Albin Berisha, duke barazuar rezultatin.
Por, Llapi nuk ka lënë që rezultati të mbetet i barabartë dhe Hamdi Namani ka shënuar përsëri në fund të pjesës së parë, duke rikthyer epërsinë për ekipin vendas.
Në pjesën e dytë, Llapi vazhdoi të shënonte dy gola të tjerë. Muhamet Hyseni ka shtuar epërsinë në minutën e 73-të me një realizim nga pika e bardhë, ndërsa Ahmed Januzi ka shënuar për 5:2 në minutën e 89-të. Në minutat shtesë, Ballkani ka shënuar përsëri përmes Albin Berishës, duke vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 5:3, në favor të Llapit.
Me këtë fitore spektakolare, Llapi ka arritur të grumbullojë 31 pikë dhe të ngjitet në pozitën e dytë në renditjen tabelare. Ata tani janë vetëm shtatë pikë larg liderit, Ballkani. Ndërkohë, Ballkani mbetet në krye të tabelës, por me një diferencë më të vogël ndaj skuadrave që ndjekin pas.