Mustedanagiq tregon pse Kroacia do ta ketë vështirë me Shqipërinë

Legjenda e Dinamo Zagrebit, Xhemal Mustedanagiq ka punuar 12 vjet për Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai ishte ndihmës i selektorit të ndjerë Josip Kuzhe e po ashtu selektor i përkohshëm i Shqipërisë.
Për Mustedanagiqin, ngritja e Shqipërisë nuk është e rastësishme. Këtë e kishte parashikuar shumë vjet më parë.
“Janë të shkëlqyer. Do ta shihni, ai reprezentacion do të jetë së shpejti shumë garues. Është çështje kohe para se të kualifikohet në ndonjë ngjarje të madhe. Talent ka sa të duash, lojtar të rinj. Investojnë në infrastrukturë, trajnerë. Nuk ka shanse të mos ia dalin”, kishte thënë Mustedanagiq rreth dhjetë vjet më parë.
Shqipëria luajti në Euro 2016 dhe tani është kualifikuar në Euro 2024. Dhe do të jetë në grup me Kroacinë, Spanjën e Italinë. Në “grupin e vdekjes”.
“Kushdo që mendon se Shqipëria do të jetë kundërshtare e lehtë në Evropian, gabon rëndë. I kam dëgjuar deklaratat e Zlatko Daliqit. Ai ka punuar në Shqipëri dhe sigurisht e njeh mentalitetin dhe talentin e lojtarëve shqiptarë, ndonëse prej atëherë ka ndryshuar shumë gjendja. Selektori menjëherë ka treguar se Shqipëria nuk bën të nënçmohet. Nuk është assesi reprezentacion që bën të nënçmohet. Shqipëria i ka të gjitha që duhet t’i ketë një reprezentacion serioz, ndërsa mënyra se si fitoi grupin dëshmon rritjen e madhe”, ka thënë të dielën Mustedanagiq. Ai ka folur për mediumin kroat “germanijak.hr”.
Mustedanagiq ishte ndihmës shumëvjeçar i Kuzhes. Në dy periudha ishte selektor i përkohshëm i Shqipërisë. Ka drejtuar edhe Kombëtaret e grupmoshave të reja, ndërsa ishte edhe drejtor teknik e skauti kryesor i Shqipërisë. Plot 12 vjet ishte i angazhuar në FSHF.
“Mendoj që është rekord që vështirë do të arrihet nga dikush tjetër. E njoh mirë futbollin shqiptar, mentalitetin, potencialin. E mbaj mend që në stërvitjen e parë me Kuzhen, lojtarët kanë luajtur si të çmendur, rrëshqasin, fusin kokën… Jemi ndalur për një çast dhe kemi thënë se nëse vazhdojnë kështu do të jemi kampionë të Evropës. Menjëherë e kemi vërejtur se sa e rëndësishme është për shqiptarët Kombëtarja, sa e duan rezultatin dhe që e kanë atë që e kemi edhe ne: atë dashurinë për kombëtare, që nuk ka dorëzim, që Kombëtarja është mbi të gjitha”, ka shtuar 68-vjeçari.
Mustedanagiq ka thënë se Shqipëria është përmirësuar me kalimin e viteve. Ka treguar për ndikimin e madh të futbollit italian. Ka përmendur edhe futbollistin me emrin Marco van Basten Çema, si dëshmi për ndikimin e futbollit ndërkombëtar te Shqipëria.
Mustedanagiq ka theksuar se Shqipëria është Kombëtare e kompletuar. Ka përmendur emrat e lojtarëve dhe klubet ku luajnë ata.
“Është Kombëtare shumë e mirë, këtë duhet ta kemi parasysh. Te Shqipëria nuk do ta respektojnë tepër askënd. Do të luajnë në çdo ndeshje njëjtë. Për nga mentaliteti janë sulmues, e duan futbollin e tillë. E mbaj mend që në fillim secilin lojtar që e kemi pyetur ka thënë se është sulmues. Apo gjysmësulmues. Kanë pasur probleme me mbrojtës. Tani janë shumë mirë të mbuluar në ato pozita, por nuk kanë humbur lojën në sulm. Te Shqipëria ishin të pakënaqur me Edy Rejan pasi luante shumë në defanzivë. Tani është Sylvinho, që i udhëheq shumë mirë. Është brazilian dhe u përshtatet stili i tij”, ka theksuar Mustedanagiq.
Ai ka lavdëruar punën që Armand Duka ka bërë në FSHF dhe besimin që ka ndaj trajnerëve.
“Do të dëshiroja që të shkojnë Kroacia dhe Shqipëria. Le të luftojnë Spanja e Italia për vendin e tretë në grup. Nuk është lehtë, por nuk është e pamundur”, ka thënë Mustedanagiq.