Ademi për RTSH-në: Daku e Muja? Kosova nuk ka nevojë të djegë askënd, Kosovën ose e don me zemër ose nuk e don

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në të gjithë fushën, në një intervistë të dhënë për emisionin sportiv, “Zona 30” në RTSH.
Zoti Ademi, si e gjykoni këtë vit futbollin në Kosovë?
“Mendoj se ka një rritje, liga jonë ka dy vite që po mer pjesë në garat europiane denjësisht. Ballkani me trajnerin Ilir Daja po bën historinë, si klub dhe si ligë, prandaj jam shumë i lumtur. Dy vite radhazi në nivele të larta, nuk është rastësi. Në aspektin e të gjitha ligave, mund të them se kemi një rritje shumë të mirë. Nga ana tjetër, përsa i përket ekipeve kombëtare, pavarësisht ecurisë së ekipeve të moshave, U17, U19 dhe U21, Kombëtarja A nuk mendoj se mund të kualifikohet. Megjithatë, rezultatet e arritura nuk janë ekuivalente me kualitetin e skuadrës”.
A shpresoni që shembullin e Ballkanit ta ndjekin dhe skuadrat e tjera, sa e shikoni të afërt këtë gjë?
“Me këtë nivel kemi arritur në fazën e grupeve për dy vite radhazi. Shpresoj që edhe ekipet e tjera, të cilat janë aktualisht në garë dhe në pozita të favorshme, të na përfaqësojnë në nivele të larta”.
Investimet në infrastrukturë, cilat janë hapat e ardhshëm?
“Kemi shumë projekte, janë ndërtuar shumë fusha stërvitore, por kemi ngecur te niveli i stadiumeve ndërkombëtare, te niveli i stadiumeve të kategorive. Jemi pak keq për pjesën e stadiumeve për ndeshjet ndërkombëtare. Por kemi disa projekte dhe shumë shpejt do të nisë ndërtimi i katër stadiumeve të kategorisë katër, duke përfshirë dhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Besoj se kjo do jetë një ndihmesë e madhe për futbollin, të shpërndajmë ekipet tona”.
A do kemi një stadium modern në Prishtinë?
“Po, jemi në fazën e projektit. Sapo të zgjidhet projekti, atëherë nuk do jetë më shumë se dy vite dhe Prishtina do ketë një stadium. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, në fund të vitit 2025 do kemi një stadium”.
Pas dështimit të Alan Zhires me Kombëtaren, mendoni se dhe Primozh Gliha është drejt asaj rruge, apo është ende shpejt?
“Ne pothuajse e kemi humbur hapin e kualifikimit. Tani po mundohemi që të bëjmë paraqitje sa më të mira dhe në kompeticionet e tjera, në Ligën e Kombeve dhe Kupën e Botës, Kosova të jetë e kompletuar jo vetëm në lojtarë, të cilët i kemi të shumtë dhe besoj se do të vijë dhe kualifikimi, por na duhet dhe një trajner, një timonier, i cili të mund të gjejë çelësin për kualifikim. Na ka munguar edhe fati, por ne kemi vetëm 7 vite që jemi pranuar dhe në vitet në vazhdim do shikojmë një Kosovë të kualifikuar”.
Jeni në kërkim të një trajneri tjetër?
“Për momentin nuk po mendojmë për këtë gjë, po mendojmë që të mbyllim sa më mirë këtë kompeticion, më pas të shikojmë…”
Është folur shumë kohët e fundit për bashkimin e Dakut dhe Mujës me Shqipërinë, nuk kanë munguar, ngacmimet, keni një koment për këtë?
“Nuk kam një koment, unë u uroj fat. Është rast i rrallë që të ketë një mundësi të tillë të artë, që të ketë dy kombëtare që mund të luajnë. Ata kanë qenë futbollistë këtu te ne. Daku nuk ka luajtur, sepse ishte i sëmurë. Ndërkohë, Muja ka qenë në stol gjatë dy ndeshjeve në këtë edicion. Unë kam dëgjuar shumë, që e futi për ta djegur. Kosova nuk ka nevojë të djegë askënd, ose e don me zemër ose nuk e don, nuk ka asnjë problem. Faktikisht, unë e konsideroj që nuk kanë shkuar larg. Nuk dua të flas shumë për situatën, tani janë në fazën e kualifikimit me Kombëtaren e Shqipërisë dhe në këto raste do preferoja ti lija të qetë, jo vetëm ata, por të gjithë lojtarët, që të përqëndrohen te kualifikimi”.
Konsultoheni ju si federatë me Federatën Shqiptare të Futbollit në të tilla raste?
“Gjithmonë. Kemi marëdhënie të shkëlqyera, vllazërore, mundohemi që ta avancojmë njëri tjetrin dhe jo ta dobësojmë apo pengojmë. Është nder për ne të kemi zv-presidentin e UEFA-s shqiptar dhe në të njëjtën kohë president të FSHF-së, ky është një rast i rrallë”.
A po vazhdon gjykimi për atë që ndodhi në Rumani?
“Është dhënë një dënim, ne kemi bërë ankimimin tjetër. Sigurisht që procesi po vazhdon, ne gjithsesi do bëjmë detyrën tonë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por ne detyrën tonë e kemi bërë. Ka ndodhë ajo që ka ndodhë, pot ë mos kishin ndodhë ato ngjarje, ne në Rumani nuk humbisnim”.
Ndeshja me Izraelin…
“Është përcaktuar me 12 nëntor nga UEFA. Uroj që të vijnë dhe lufta atje të ndalet e të vazhdojë jeta normale. Nuk e di nëse do të vijnë, por UEFA e ka vendosur një datë, të shikojmë. Ne do bëjmë përgatitjet tona”.