Ankesa e re e FFK-së në FIFA e trondit Serbinë

Federata e Futbollit e Kosovës reagoi në FIFA pas fyerjes së rëndë të trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkoviq drejtuar popullit shqiptarë dhe veprimeve të tifozëve serbë gjatë ndeshjes Zvicër – Serbi në Kupën e Botës.
FFK kërkon nga FIFA hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg eventeve si Kupa e Botës.
E kjo ankesë e FFK-së ka bërë bujë edhe në Serbi. Po thuajse të gjitha mediat e shtetit kanë raportuar për ankesën e re të FFK-së.
Të frikësuar nga një dënim i mundshëm i FIFA-s, mediumet serbe gjithashtu kanë shkruar për “provokimet” e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit ndaj Serbisë në mënyrë për t’i justifikuar skandalet e trajnerit serb dhe veprimeve nacionaliste të tifozëve serbë në Katar.
“E ashtuquajtura shoqatë e futbollit Kosova ka dorëzuar një raport në FIFA kundër Piksit” – shkruhet në titullin e mediumit serb Telegraf.rs. Ngjashëm kanë raportuar edhe mediat tjera.