Stoichkov: Messi bëri zgjedhjen më të mirë për veten dhe familjen
Hristo Stoichkov, legjenda e Barcelonës, jeton prej dhjetë vitesh në Miami. Atje punon si komentator sportiv. Askush më mirë se ai nuk mund të analizojë zbarkimin e Leo Messit tek Inter Miami. Gjithashtu, bullgari foli edhe për Barçën e tij të dashur.
Hristo Stoichkov, ju jeton dhe punoni në Miami, ku tani ka mbërritur edhe Messi. Çfarë mendoni?
Si shikues jam i kënaqur me këtë vendim. Mendoj se ka bërë më të mirën për veten dhe familjen e tij. Miami është një qytet i madh, nuk njihet vetëm për turizmin dhe plazhin. Këtu, familja e Messit do të jetojë mirë. Vetë Leo do të jetë në gjendje të vazhdojë të luajë në një nivel të mirë, sepse është profesionist. E bëra këtë gjë dhe unë. U largova nga Barça, kalova një vit në Japoni dhe më pas tre në Çikago dhe një në Uashington, ishte një sukses.
Me fjalë të tjera, ju e shihni Messin duke vazhduar në një nivel të lartë…
Ai do të konkurrojë dhe të luajë në një nivel të lartë, sepse MLS është një ligë konkurruese. Kush thotë jo e bën sepse nuk ka parë ndeshje nga ky kampionat. MLS po rritet falë Don Garber, i cili sheh vetëm përpara. Ai ka një marrëdhënie të shkëlqyer me Infantinon dhe Ceferin, dëshiron të sjellë këtu finalen e Ligës së Kampionëve. Po kështu, do të luhet Kupa e Amerikës, Botërori për Klube dhe i kombëtareve. Nuk trembet nga Arabia, e cila është një shkëndijë siç ishte Kina. Këtu janë më shumë se 250 lojtarë që luajnë në liga të mira. Ata duan të shkojnë shumë larg, në Kupën e Botës 2026.
A do t’i kërkojnë fitoren e titullit Messit atje?
Askush nuk ia kërkon këtë Messit. Ai tashmë ia kërkon diçka të tillë vetes, sepse është fitues. Askush nuk dyshon se ai do të konkurrojë, dëshiron të jetë i mirë në “Copa América”, vitin e ardhshëm. Argjentina është kampione e Botës dhe finalja është caktuar në Miami. Jam i sigurt se Inter Miami do të përfundojë duke bërë një ekip të mirë dhe do të fitojë.
Çfarë do t’i japë MLS-së një lojtar si Messi?
Stadiumet do të jenë plot. Nuk ka më bileta deri në fund të sezonit në shumë prej stadiumeve ku do të luajë Inter Miami. Tifozët amerikanë duan të shohin kampionin e botës. Edhe Busquets me Alba.
A nuk do të dëshironit që ai të kthehej te Barça?
Ai tashmë është larguar duke qarë një herë. Messi e tha dhe unë e duartrokas. Ai nuk donte që rrogat e shokëve të tij të uleshin në mënyrë që të nënshkruante Leo. Ai është njeri dhe një person i madh. Kjo është arsyeja pse të gjithë e duan atë.
Çfarë mendoni për Barcelonën?
Është e detyruar të fitojë La Liga-n. Është kampione e Spanjës në fuqi, por duhet të përmirësohet në Evropë. Më vjen mirë që po mbështeten të rinj si Pedri, Gavi, Araujo, Balde, Ansu… Sezonin e ri, Barcelona do të jetë më mirë. Ka lojtarë me më shumë eksperiencë dhe janë bërë nënshkrime të mira.
Ashtu si Gundogan…
Më pëlqen shumë, ai ka talent dhe karakter. Me të dhe De Jong, Pedri dhe Gavi, skuadra katalanase ka një mesfushë të shkëlqyer. Pastaj ka në përbërje Dembélé, Raphinha, Ansu, Lewandowski, Araujo, Christensen, Koundé, Ter Stegen, portierin më të mirë në botë. Është një ekip i madh, duhet të bëjë gjëra të rëndësishme.
Si e shihni Xavin trajner?
Fantastik. Nuk ishte e lehtë për ta fituar La Liga-n dhe ai e arriti këtë. Xavi është një legjendë e Barçës, ka bërë histori me atë klub. Eksperienca e tij si trajner vihej në dyshim, por tashmë ka fituar La Liga-n. Personalisht nuk dyshova kurrë. Është një djalë i shtëpisë, që di gjithçka, me ide të qarta, që ka mësuar nga Pep dhe Johan. Gjëja më e mirë për Barçën është ruajtja e asaj ADN-je.
Dhe si e shihni klubin me kaq shumë probleme financiare?
Laporta po përpiqet ta kthejë atë në rrugën e duhur, por unë i kam thënë tashmë më shumë se një herë që ta heqë nga koka idenë e Superligës. Nuk do të bëhet kurrë. Ai po rregullon klubin dhe po zgjidh çështjet ekonomike. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është të ulet me Tebas dhe Ceferin; të flasin, të negociojnë dhe ta harrojë Superligën. Kanë mbetur vetëm dy klube. Ai jetoi një epokë të artë me Pep, me Txiki, me Johan dhe Leo, lojtarin më të mirë në botë.
Tani na flisni për Pep Guardiolën, kampionin e fundit evropian me Manchester City…
Ne kemi qenë kolegë dhe jemi miq. Së bashku fituam Kupën e parë Evropiane për Barçën. Kishte shumë njerëz që thanë se nuk do ta fitonte më Champions-in, se mundi ta bënte vetëm me Barçën. Tani, njerëzit kritikë ndaj Pep duhet t’i hanë fjalët e tyre. Ai ka ndërtuar një ekip të madh dhe ka shtuar një bishë si Haaland.
Ju flisni për Haaland, po Mbappe dhe Real Madridi?
Nuk e di se çfarë do të ndodhë me të. Unë e di vetëm se Mbappe është shumë i mirë dhe se do të shënjojë futbollin në vitet e ardhshme, së bashku me Haaland. Mendoj se do të shkojë në Angli. Për momentin, e shoh Real Madridin poshtë Barçës, por me lojtarë të rinj të mëdhenj si Vinicius, Camavinga, Bellingham…
