Xhiro 9-të e Superligës, sot dy ndeshje interesante

Pas pushimit të kombëtareve, janë rikthyer ndeshjet e Superligës së Kosovës.
Të premten Ferizaji shënoi fitore 2-1 në udhëtim ndaj Gjilanit, ndërsa sot zhvillohen dy ndeshje tjera.
Në stadiumin ”Liman Gegaj” në Malishevë, skuadra e Malishevës do të jetë nikoqire e Prishtinës.
Vendasit po kalojnë në formë fantastike këtë sezon, duke qënë lider të tabelës me 17 pikë, ndërsa skuadra nga kryeqyteti ka grumbulluar 13 pikë dhe renditet në vendin e katërt.
Një ndeshje tjetër interesante është edhe ajo mes Feronikelit ’74 dhe Dritës, e cila zhvillohet në stadiumin ”Rexhep Rexhepi” në Drenas.
”Intelektualët” janë në vendin e pestë, duke grumbulluar 13 pikë, kurse Feronikeli ’74 ka vetëm një pikë në tetë ndeshje dhe është e fundit në tabelë.
Të dy ndeshjet nisin nga ora 13:00.