Vojvoda: Kualifikimi në ‘play-off’ arritje e jashtëzakonshme, mentaliteti dhe eksperienca po bëjnë diferencën
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka folur gjerësisht në edicionin më të ri të FFK Podcast, ku ka komentuar rrugëtimin drejt kualifikimit historik në “play-off” të Kupës së Botës 2026, sfidat, rikthimin pas humbjes së rëndë me Zvicrën dhe rolin e gjeneratës së re dhe asaj të përvojës në sukseset e fundit të Dardanëve.
Vojvoda është treguar i sinqertë kur ka folur për pritjet para nisjes së ciklit kualifikues të Botërorit, duke theksuar se grupi i Kosovës ka qenë një nga më të vështirët:
“Po me të vërtetë, shumë pak prej nesh e kemi pritur këtë arritje. Grupi ka qenë shumë i fortë, me kombëtare të mëdha. Ne që jemi brenda e dimë sa e vështirë ka qenë. Prandaj jemi jashtëzakonisht të lumtur që arritëm objektivin për t’u kualifikuar në ‘play-off’”, tha Vojvoda.
Ai shtoi se humbja e thellë në ndeshjen e parë kundër Zvicrës e pati goditur shumë grupin, por reagimi ishte i menjëhershëm.
“Ndeshja e parë që e humbëm flliqt na ka dhembur shumë. E kemi ditur që kemi zhgënjyer shumë njerëz, sepse nuk e kemi merituar atë rezultat. Por pastaj kemi qenë shumë më intensivë, shumë më të bashkuar. Ka qenë rrugëtim i vështirë, por në fund shumë pozitiv”, shtoi ai.
Vojvoda tregoi se pas humbjes me Zvicrën, ekipi ndryshoi qasjen dhe stilin e lojës, duke u bërë më kompakt dhe duke shfrytëzuar shpejtësinë në kundërsulm:
I pyetur për grupin aktual dhe ndikimin e përvojës në rezultatet e fundit, Vojvoda u ndal te krahasimi me vitet e para të Kombëtares: “Kur patëm shansin në Çeki vite më parë, ishim krejt të rinj. Secili mendonte vetëm me lujt mirë individualisht. Sot është krejt ndryshe kryesorja është ekipi, rezultati. E dimë se nuk është sprint, por është maratonë. Kur futemi në lojë, edhe ata që hyjnë nga banka e dinë detyrën me ndihmu ekipin, me mbrojt rezultatin, me marrë tre pikët. Kështu funksionojnë kombëtaret e forta si Kroacia, Franca. Besoj se tani të gjithë lojtarët e kanë kuptuar që nëse bën mirë kombëtarja, është mirë për të gjithë. Nuk mjafton me shënu dy-tri gola nëse ekipi humb. Ke lojtarë si Florent Muslija që me top është fantastik, por pa top vrapon pa u ndal. Dhe të gjithë kanë filluar ta ndjekin këtë mentalitet”.
