February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Vojvoda: Kualifikimi në Botëror do të ishte ëndrra ime më e madhe

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka thënë se kualifikimi në Kampionatin Botëror 2026 me Kosovën do të ishte arritja më e madhe e karrierës së tij dhe realizimi i ëndrrës së fëmijërisë.

“Kualifikimi në Botëror do të ishte ëndrra më e madhe sa i përket futbollit. E kam pasur ëndërr prej që jam fëmijë të luaj në një Kupë të Botës dhe të luaj me Kosovën do të ishte me të vërtetë realizim ëndrre. Edhe nëse nëse futbolli përfundon pas atij suksesi për mua do të ishte realizim i ëndrrës”, ka thënë Vojvoda në FFK Podcast.

Duke folur për ndeshjen e parë të “play-off”-it për Botëror, ai u shpreh se sfida ndaj Sllovakisë është krejtësisht e hapur:

“Unë e shoh me të vërtetë 50 me 50. Sllovakia është e fortë, por nuk është kundërshtar i pakapërcyeshëm. Me na pas ra Turqia jashtë, do të ishte shumë vështirë. Me Sllovakinë e dimë që finalen e kemi në shtëpi dhe kjo të jep kurajo më shumë”, tha Vojvoda.

Ai shtoi se gjendja fizike e futbollistëve do të jetë vendimtare:

“Shpresoj me i pas krejt lojtarët shnosh e mirë. Ka shumë gjëra që mund ta ndryshojnë lojën. Është finale, është shumë vështirë”.

Vojvoda foli edhe për dallimet mes gjeneratës aktuale të lojtarëve të rinj dhe asaj të kohës kur ai dhe bashkëlojtarët e tij kishin nisur rrugëtimin:

“Këta të rinjtë po duken shumë më të dëgjueshëm, më të fokusuar te ekipi. Por na kanë neve si shembull. Kur kemi nisur ne, nuk kemi pas dikë me na tregu. Krejt kemi qenë pothuajse të njëjtën moshë, askush nuk e kishte përjetuar kualifikimin”.

Ai veçoi sakrificën e Ilir Krasniqit, Muharrem Jasharit e Baton Zabërxhës që udhëtojnë me orë të tëra vetëm për t’u bashkuar me Kosovën:

“Janë disa lojtarë të rinj që i bëjnë do gjëra që nuk e di a i kishim bërë ne. Për shembull Iliri, Muharremi, Batoni… vijnë prej Ukrainës, udhëtojnë gati dy ditë veç me ardhë me lu për Kosovën. Nuk e di a kishin bërë shumë lojtarë diçka të tillë për kombëtare”, nënvizoi ai.

Vojvoda u ndal edhe te përvoja e hidhur kundër Maqedonisë së Veriut, kur Kosova humbi në gjysmëfinale të ‘play-off’-it për Euro 2024:

“Shpresoj që eksperienca që e kemi kaluar me Maqedoninë nuk do të kthehet prapë. Nuk do me thënë që ke pas eksperiencë edhe tash kualifikohesh lehtë. Duhet me ditë se është finale. Koncentrimi dhe qëllimi është të fitojmë, të kualifikohemi gjithqysh. Por janë shumë faktorë që ndikojnë. Nuk është punë e lehtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *