Vesel Limaj: Jam gati për ndeshjen ndaj Larne FC, nuk do të jetë e lehtë – por ne shpresojmë të kualifikohemi në grupe

Vesel Limaj, mesfushori i ri i Ballkanit, do të jetë gati për ndeshjen e nesërme ndaj Larne FC në raundin e dytë të kualifikueseve të Conference League. Limaj që u transferua tek Ballkani në këtë merkato nuk ishte i gatshëm për duelet ndaj Ludogorets, pasi klubi nuk mund ta regjistronte në afat kohor.
Limaj e konfirmoi se ai u prit shumë mirë nga lojtarët e Ballkanit, teksa thotë se është gati për ndeshjen që luhet nesër në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.
“Fatkeqësisht në këto ndeshjet e para nuk isha i regjistruar, por tani do jem gati për ndeshjen e radhës. Ma lehtësuan të gjithë që të ambientohem sa më shpejtë, pasi më kanë pritë shumë mirë, ndihem shumë mirë tani dhe i falënderoj të gjithë”, tha fillimisht Vesel Limaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai thotë se në Evropë s’ka ndeshje të lehta, por beson se do ta kalojnë ekipin nga Irlanda e Veriut, duke parë kualitetin që kanë.
“Besoj që nuk ka ndeshje të lehta në këtë edicion, por me kualitetin që e kemi besoj se do e kalojmë këtë skuadër (FC Larne), normalisht qe do e japim maksimumin për me arrit këtë qëllim”, vazhdoi ai.
Në fund Limaj shpreson se Ballkani do të arrijë sërish grupet e Conference League, ashtu siç bëri edicionin e kaluar.
“E dimë që nuk do jetë aspak e lehtë, shpresoj që ta përsërisim atë që Ballkani e perjetoi vitin e kaluar, pra të kualifikohemi prap, sepse kemi besim, kemi një grup të shkëlqyshëm edhe me pak fat, pse jo mund të shkruajmë prap histori”, përfundoi ai.