Topalli: Ndihem sikur të isha për kohë të gjatë pjesë e Kombëtares

Jetmir Topalli është ftuar për herë të parë nga përzgjedhësi Alain Giresse dhe ndihet i lumtur që është pjesë e grumbullimit për dy ndeshjet tejet të rëndësishme kualifikuese për Euro 2024 kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.
“Më të vërtetë është ndjenjë e mirë të jem këtu dhe i falënderoj për ftesën përzgjedhësin dhe Federatën, e gjithashtu i falënderoj lojtarët për pritjen shumë të mirë. Ndihem sikur të isha për kohë të gjatë pjesë e Kombëtares. Jemi si familje dhe jam shumë i lumtur dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjendja e ekipit është e mirë, jemi duke u përgatitur maksimalisht me ritëm të ngadaltë, por në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj që në ndeshjen ndaj Rumanisë ta bëjmë atë që dimë më së miri”, ka thënë Topalli.
Ai ka thënë se synimi i Dardanëve në këto dy ndeshje do të jetë arkëtimi i pikëve të plota, në mënyrë që të mbesin në garë për kualifikim në Evropian.
“Objektivat tona tashmë dihen dhe do të futemi në lojë me objektiv të qartë për të fituar si në ndeshjen ndaj Rumanisë ashtu edhe ndaj Bjellorusisë. Kështu që të gjithë lojtarët jemi të vetëdijshëm se duhet të futemi për ta fituar ndeshjen dhe do ta bëjmë maksimumin për ta arritur një gjë të tillë. Pres nga ‘Dardanët’ të jenë në numër sa më të madh në stadium e të na përkrahin, e ne ta kryejmë punën tonë që t’i bëjmë ata të lumtur”, ka thënë Topalli.