Szymon Marciniak: Ndarja e drejtësisë në finale, sikur ta fitoja Botërorin

Szymon Marciniak është i fituari i madh i këtyre ditëve që po na shoqërojnë drejt finales të madhe të Botërorit. Arbitri polak ka komentuar vendimin që mori dje FIFA, e cila i besoi ndeshjen e vitit. “Që kur isha i vogël ëndërroja një ditë si kjo. Kur isha i vogël dhe luaja futboll ëndërroja që të luaja një finale dhe tani ja ku jam, po e luaj si arbitër. Të arbitrosh një finale të Botërorit është si ta fitosh atë”, shpjegoi 41-vjeçari.
Sakrifica – Në fjalën e tij Szymon Marciniak shpjegoi se kishte kaluar jo pak vështirësi për të arritur në këtë pikë ku ndodhet tani. “Më është dashur të punoj shumë dhe të jem shumë i disiplinuar për arritur në këtë pikë ku jam tani. Për këtë ëndërr që po kthehet në realitet më duhet që të falenderoj Pawel Sokolnicki dhe Tomasz Listkiewicz (asistentët). Gjithashtu më duhet të falenderoj familjet tona dhe miqtë tanë, të cilët janë dëshmitarë të sforcove që kemi bërë për të arritur deri këtu”, tha Szymon Marciniak.
Mbi finalen – Mes të tjerash polaku, i cili theksoi se trupës gjykyese nga Polonia i është dashur punë krejt ndryshe nga ajo e futbollistëve për të arritur deri këtu, u mundua që të komentonte finalen që do të luhet të dielën. “Shpresoj shumë në një ndeshje të madhe. Si Argjentina dhe Franca kanë lojtarë të mëdhenj, të cilët nga momenti në moment mund të bëjnë diferencën. Për këtë arsye do të jem i fokusuar në çdo moment të lojës pasi me lojtarë të tillë s’mund të humbësh përqëndrimin”, komentoi Szymon Marciniak.
Avantazhi – Siç dihet trupa polake e arbitrave që do të gjykojë finalen e madhe ka patur mundësinë që të njihet me lojtarët e të dy ekipeve pasi më parë kanë arbitruar ndeshjen Argjentinë-Australi dhe Francë-Danimarkë. “Ne njohim mjaft mirë lojtarët dhe ata na njohin mjaft mirë ne prandaj të gjithë duhet të jenë të qetë pasi ne do ta bëjmë punën tonë mjaft mirë”, siguroi kryesori polak.