Suhareka fiton si mysafire ndaj Malishevës

Mevlan Zeka ka shkuar në kuotën e 12-të golave të realizuara në elitën e futbollit të Kosovës dhe aktualisht është sulmuesi më në formë.
Me golat e Zekës, Suhareka të shtunën fitoi 2:1 në udhëtim te Malisheva, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Liman Gegaj”.
Ballafaqimin e xhiros së 17-të, Suhareka e fitoi 2:1.
Sulmuesi 30-vjeçar nga Gjakova shënoi për 1:0 në të mirë të mysafirëve në minutën e 21-të, me gjuajtje të saktë nga zona.
Në minutën e 34-t, shifrat i barazoi Drilon Hazrollaj. Por, goli i sulmuesit të krahut u anulua më pas nga gjyqtari Genc Nuza, pas rishikimit të situatës në VAR. Nuza pa faull gjatë ndërtimit të aksionit dhe goli nuk ishte i vlefshëm.
Gjashtë minuta më vonë, Suhareka shënoi sërish. Zeka ishte në afërsi të portës dhe e shtyu topin në rrjetë me kokë për 2:0.
Hazrollaj më pas në minutën e 73-të e ngushtoi epërsinë në 2:1, por ai dhe bashkëlojtarët e tij, nuk arritën të shënonin më e të merrnin të paktën një pikë nga kjo ndeshje.
Në minutat shtesë, te Suhareka pas kartonit të dytë të verdhë u përjashtua Eneid Kodra.
Për Malishevën ishte humbja e parë pas ecurisë prej tri fitoreve e një barazimi në Superligë e në Kupë.
Suhareka ndërkohë e realizoi fitoren e tretë rresht në të gjitha garat.
Në Kupën e Kosovës fitoi ndaj Trepçës ’89, ndërsa e mposhti edhe Llapin në Superligë.
Malisheva mbetet në pozitën e tretë me 29 pikë, teksa Suhareka forcohet në pozitën e pestë me 25 pikë.
Të dielën, xhiroja e 17-të mbyllet me dy ndeshje tjera.
Gjilani luan me Dritën në derbin lokal në terrenin me bar sintetik në Gjilan, ndërsa Feronikeli 74 e pret Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Dukagjini të premten e fitoi ndeshjen hapëse të kësaj jave ndaj Ferizajt.
Golin e fitores e shënoi sulmuesi Altin Merlaku, në minutën e 83-të.