Spalletti do ta mbajë flamurin e qepur nga mamaja e tij me vete tek Italia

Kur Luciano Spalletti ishte 11 vjeç, ai i kërkoi nënës së tij të qepnin një flamur “gjigant” italian së bashku për të festuar fitoren 4:3 të Italisë ndaj Gjermanisë Perëndimore në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 1970 – një ndeshje që nga atëherë është etiketuar si “Loja e Shekullit”.
“Tani do ta mbaj atë flamur me vete në stolin e ekipit kombëtar”, tha Spalletti të shtunën në prezantimin e tij si trajneri i ri i Italisë. “Dua ta krijoj atë ëndërr për mijëra fëmijë. Është vërtet një emocion i papërshkrueshëm”.
64-vjeçari Spalletti, i cili udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në Serie A edicionin e kaluar, mori drejtimin e Italisë kur Roberto Mancini dha dorëheqjen e papritur muajin e kaluar. Mancini më pas mori përsipër Përfaqësuesen e Arabisë Saudite. Spalletti, taktikat sulmuese të të cilit në Napoli mblodhën lavdërime nga e gjithë Evropa, u largua nga klubi jugor pas titullit dhe tha se donte të bënte një pushim njëvjeçar. Por kur Federata italiane e futbollit ia ofroi detyrën e selektorit, ai nuk hezitoi. Është një përshtatje e mirë për Spallettin, i cili është nga Toskana dhe jeton në një fermë një orë larg me makinë nga qendra stërvitore e përfaqësueses italiane në fshatin Coverciano të Firences. Kur Spalletti u largua nga Napoli, ai nënshkroi një dokument që përfshinte një klauzolë prej 3 milionë eurosh për t’u paguar nëse ai kthehej në punë brenda një viti. Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, pohon se tarifa tani duhet të paguhet, ndërsa Federata italiane nuk është dakord, duke thënë se përfaqësuesja nuk është konkurrente e Napolit. Spalletti tha se shpreson që çështja “përfundon pozitivisht për të dyja palët”, duke shtuar se “avokatët po punojnë për të”.
Mancini kishte një mandat me ulje e ngritje tek Italia që përfshinte triumfin në “Euro 2020”, por edhe për dështimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës “Katari 2022”.
“Është e kotë të fshehësh se ka pak zhgënjim”, tha presidenti i federatës, Gabriele Gravina, për largimin e Mancinit.
Sa i përket Spallettit, Gravina shtoi: “Luciano ia kushton të gjithë mirëqenien e tij asaj që e do: familjes së tij, njerëzve me të cilët është afër, tokës së tij dhe futbollit”.
Italia përballet me Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainën në kualifikimet për “Euro 2024” më 9 dhe 12 shtator, respektivisht. Italianët kanë tri pikë pas dy ndeshjeve në Grupin C dhe renditen pas Anglisë e Ukrainës. Ish-kapiteni Leonardo Bonucci, pastaj Jorginho, Marco Verratti dhe Francesco Acerbi – të gjithë të rregullt nën drejtimin e Mancinit – u lanë jashtë listës së parë të Spallettit, të shpallur të premten.
Bonucci u la jashtë stërvitjeve parasezonale te Juventusi dhe u transferua në Gjermani tek Union Berlini të premten. Jorginho ka pak minutazhë tek Arsenali, Verratti duket se do të largohet nga Paris Saint-Germaini për në Arabinë Saudite dhe Acerbi po rikuperohet nga lëndimi.
“Ne duhet të kemi angazhimin dhe sjelljen e duhur”, tha Spalletti në Coverciano. “Kjo është arsyeja pse unë i thërras lojtarët – jo për shkak të emrave të tyre”.