Sot derbi Drita – Gjilani

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon sot me dy përballje të tjera në kuadër të xhiros së tetë, pas fitores së djeshme të Ferizajt ndaj Dukagjinit me rezultat 2:1.
Vëmendja do të jetë e përqendruar në derbin e madh të qytetit të Gjilanit, ku Drita dhe Gjilani do të masin forcat në një përballje që ka gjithmonë tension dhe emocione të forta. Ky është derbi i 50-të kampional mes këtyre dy skuadrave, me Dritën që ka bilanc më të mirë: 18 fitore, ndërsa Gjilani ka regjistruar 12 fitore. Ndërkohë, 19 përballje kanë përfunduar barazim.Në këtë sezon, Drita renditet në vendin e pestë me 12 pikë, por me dy ndeshje më pak të luajtura, çka e bën situatën e saj më fleksibile për përmirësim. Nga ana tjetër, Gjilani ndodhet në pozitën e shtatë me tetë pikë dhe kërkon të kapërcejë këtë situatë me një fitore në derbi.
Ndërkohë, Prishtina do të përballet me Feronikelin ’74 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Pas humbjes në Gjilan, kryeqytetasit do të kërkojnë rikthimin te fitorja, ndërsa Feronikeli vjen nga një barazim me Malishevën dhe synon të vazhdojë me rezultate pozitive. Të dy ndeshjet fillojnë në orën 15:00.