Shuhet “Perandori” Franz Beckenbauer

Franz Beckenbauer, një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Beckenbauer, i njohur si “Der Kaiser” (Perandori), fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë Perëndimore si kapiten në 1974 dhe si trajner në 1990.

Ish-mbrojtësi është një nga tre burrat, së bashku me brazilianin Mario Zagallo – i cili ndërroi jetë këtë muaj – dhe francezin Didier Deschamps, që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe si trajner.

Beckenbauer gjithashtu fitoi Kampionatin Evropian në 1972 dhe luajti 103 herë për Gjermaninë Perëndimore.

Në nivel klubesh, Beckenbauer konsiderohet një legjendë e Bayern Munichut duke fituar tre Kupa Evropiane të njëpasnjëshme me gjigantët gjermanë nga 1974-76 së bashku me katër tituj të Bundesligës. Ai luajti 582 herë për Bayernin.

Beckenbauer gjithashtu ia doli mbanë me Bayernin edhe si trajner duke fituar Bundesligën në 1994 dhe Kupën e UEFA-s në 1996.

Në një deklaratë familjare thuhej: “Me pikëllim të thellë njoftojmë se bashkëshorti dhe babai ynë, Franz Beckenbauer, ndërroi jetë i qetë në gjumë dje, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne kërkojmë që ju të jeni në gjendje të mbani zi në heshtje dhe të përmbaheni nga pyetjet”.

Beckenbauer fitoi një sërë nderimesh personale, duke përfshirë dy çmime të Topit të Artë në 1972 dhe 1976 si mbrojtës – një gjë e rrallë në atë kohë dhe ende sot e kësaj dite.

E për vdekjen e Beckenbauerit ka shkruar edhe kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi. Ai përmes një postimi në rrjetet sociale e ka kujtuar legjendën gjermane.

Postimi i plotë i Ademit:

I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të një prej figurave më ikonike të futbollit, Franz Beckenbauer.

I njohur si “Der Kaiser”, Franz Beckenbauer ishte një emër që ka shkruar histori dhe ka lënë një trashëgimi të madhe për brezat.

Beckenbauer fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë Perëndimore si kapiten më 1974 e më pas si trajner më 1990. Ai ishte legjendë e klubit gjerman, Bayern Munich, me të cilin fitoi shumë trofe.

“Der Kaiser” për të gjithë ne nuk ishte thjesht një futbollist, ishte një lider, një frymëzim dhe një simbol i pavdekshëm i futbollit.

Le ta kujtojmë dhe ta nderojmë legjendën Franz Beckenbauer për kontributin e tij të pakrahasueshëm në sportin që ne të gjithë e duam dhe e adhurojmë.

RIP

Lamtumirë, legjendë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *