Shqipëria “pushton” Serbinë në Leskovc
Rey Manaj ka shënuar një supergol historik dhe ka ndezur festën mbarëkombëtare! Me golin e tij spektakolar, Shqipëria ka triumfuar 1:0 ndaj Serbisë në Leskovc, duke shënuar njërën prej fitoreve më të mëdha në historinë e futbollit shqiptar dhe duke bërë një hap të madh drejt plejofit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, pas një goditje dënimi, topi erdhi te Arlind Ajeti, i cili pa dashje asistoi për Manajn. Sulmuesi kuqezi reagoi në mënyrë të përkryer, goditi fuqishëm dhe dërgoi topin në rrjetë. Më pas shpërtheu në festë, duke formuar me duar shqiponjën dykrenare përpara tribunës, mes brohoritjeve dhe emocioneve të pamasë të bashkëlojtarëve e stafit teknik.
Pjesa e dytë solli një Shqipëri më të qetë dhe të organizuar, që menaxhoi me pjekuri avantazhin. Serbia provoi disa herë në fundin e ndeshjes, por pa rezultat. Me fërshëllimën përfundimtare, shpërtheu festa shqiptare – në stadium, në shtëpi, e kudo në botë ku rreh zemra kuqezi.
Ndonëse gjatë ndeshjes u dëgjuan thirrje fyese ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, ato vetëm sa i motivuan më shumë lojtarët e përzgjedhur nga Sylvinho. Ata shkruan një faqe të artë në historinë e kombëtares, duke e kthyer Leskovcin në simbol të krenarisë shqiptare.
Pas kësaj fitoreje, Shqipëria ngjitet në vendin e dytë të Grupit K me 11 pikë, ndërsa Serbia mbetet në të tretin me 7 pikë e një ndeshje më pak. Kuqezinjtë janë tani shumë pranë sigurimit të plejofit për Botërorin 2026 – dhe një ëndërr e madhe është më e gjallë se kurrë.
