Shqipëria me fitore bindëse ndaj Andorrës

Kombëtarja e Shqipërisë ka shënuar fitore të merituar 3:0 ndaj Andorrës në “Arena Kombëtare” të Tiranës, duke marrë pikët e para në grup në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Ishte një paraqitje e kuqezinjve të cilën e prisnin e gjithë tifozëria, dhe futbollistët kuqezi e shfrytëzuan mundësinë për të reaguar pas humbjes 2:0 ndaj Anglisë në “Wembley”.

Shqipëria tregoi dominim që nga minuta e parë, duke shënuar dy herë në pjesën e parë. Rey Manaj ishte heroi i ndeshjes, duke realizuar të dy golat për Shqipërinë. Goli i parë erdhi që në minutën e nëntë, kur Manaj shënoi me kokë pas krosimit të saktë të Kristjan Asllanit nga një goditje dënimi. Për 2:0, Manaj shënoi në minutën e 19-të pas një pasimi të saktë nga Armando Broja, i cili kaloi disa mbrojtës të Andorrës.

Shqipëria vazhdoi të dominojë në pjesën e dytë, duke ruajtur kontrollin total të lojës. Goli i tretë erdhi në minutat shtesë, kur Myrto Uzuni shënoi për 3:0, pas një asistimi nga Arbër Hoxha.

Me këtë fitore, Shqipëria ofroi reagimin e pritur pas paraqitjes së dobët ndaj Anglisë, duke i dhënë vetes një mundësi për të rifituar besimin. Megjithatë, ky sukses erdhi kundër një kundërshtari që kishte nivel më të ulët.

Ndeshja e ardhshme e Shqipërisë do të jetë më 7 qershor, ku do të përballen me Serbinë në një ndeshje që mund të jetë vendimtare për vendin e dytë në grup dhe shpresat për kualifikimin në Kupën e Botës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *