Shorti i Ligës së Kampionëve sivjet hidhet përmes kompjuterit

UEFA ka bërë të ditur që shorti i fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve për edicionin e sivjetmë do të hidhet përmes kompjuterit.
Formati i ri i shortit kërkon një mijë topa dhe 36 vazo në mënyrë që të realizohet, dhe kjo do të lypte shumë kohë.
Kësisoj, për të parandaluar një zvarritje të këtillë, të 36 klubet do të tërhiqen manualisht duke përdorur topa fizikë.
Për secilin ekip që zgjidhet manualisht, një softuer i automatizuar do t’i zgjedhë në mënyrë të rëndomtë tetë kundërshtarë nga të katër vazot, të cilat më pas do të shfaqen në ekran në sallën e shortit, si dhe në televizion.
Softueri po ashtu do të vendosë se cilat ndeshje do të luhen si nikoqirë e cilat si mysafirë.
Shorti i edicionit 2024-2025 do të mbahet të enjten e 29 gushtit.