Shkëndija humb në Larnaca, por kap “play-off”-in
Shkëndija e Tetovës ka shkruar histori në arenën evropiane, duke siguruar kualifikimin për në fazën “play-off” të UEFA Conference League, pavarësisht humbjes minimale 1:0 të enjten mbrëma në udhëtim ndaj AEK Larnaca.
Në ndeshjen e fundit të fazës së ligës, “kuqezinjtë” u mposhtën nga skuadra qipriote, me golin e Karol Angielskit, i realizuar shtatë minuta para përfundimit të takimit. Megjithatë, rezultati nuk e zbeh suksesin e madh të ekipit tetovar.
Shkëndija e përfundoi fazën e ligës me shtatë pikë, duke u renditur në vendin e 23-të, pozicioni i fundit që siguron kualifikimin në fazën nokaut, çka përbën një arritje historike për klubin.
Bilanci i Shkëndijës në këtë edicion të Ligës së Konferencës është prej dy fitoreve, një barazimi dhe tri humbjeve.
Në ndeshjen e parë të “play-off”-it të fazës nokaut, Shkëndija do të jetë pa shërbimet e Liridon Latifit, i cili u përjashtua me karton të kuq direkt në minutën e 53-të të takimit ndaj AEK Larnaca.
