Shkëlqeu edicionin e kaluar tek Napoli, Osimhen afër rinovimit të kontratës me kampionët e Italisë

Roberto Calenda, agjenti i Victor Osimhen, ka mbërritur në kampin stërvitor veror të Napolit në Castel Di Sangro për të zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e klubit mbi një rinovim të kontratës për lojtarin e tij.
Napoli tashmë ka qenë në kontakt të ngushtë me Calenda gjatë gjithë verës, pasi ata shpresojnë të mbajnë golashënuesin më të mirë të Serisë A për sezonin 2022-2023 për aq kohë sa të jetë e mundur.
Së pari, pati diskutime kur skuadra ishte vendosur në Dimaro më herët në fazën përgatitore, dhe tani, siç raportohet nga Gianluca Di Marzio, do të ketë një raund të ri bisedimesh.
Osimhen aktualisht ka kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2025, ku aktualisht fiton rreth 4.5 milionë euro në sezon.
La Gazzetta dello Sport raportoi në fillim të javës se Napoli është i përgatitur të ofrojë një marrëveshje të re me vlerë diku midis 7 dhe 7,5 milionë euro në vit.
Di Marzio raporton se të gjitha palët dëshirojnë që Osimhen të qëndrojë me Napolin.