Samir Ujkani e përfundon me sukses programin e FIFA-s për qeverisje të mirë, Ademi e përgëzon

Federata e Futbollit e Kosovës po vazhdon të forcojë kapacitetet e saj në të gjitha sektorët, duke u fokusuar në licencimin, aftësimin dhe specializimin e kuadrove të saj. Përkushtimi për profesionalizim ka sjellë një tjetër arritje të rëndësishme, këtë herë nga Samir Ujkani, i cili ka përfunduar me sukses programin disa mujor ‘Executive Programme’ të FIFA-s për qeverisje të mirë, të mbajtur në Paris.
Përfundimi i këtij programi nga Ujkani përfaqëson një tjetër sukses për FFK-në, duke dëshmuar synimin e saj për të avancuar më tej standardet e menaxhimit dhe organizimit brenda institucionit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka përgëzuar Samir Ujkanin për këtë arritje:
“E uroj Samirin për këtë sukses dhe jam i bindur se eksperiencën që e ka marrë në FIFA do ta zbatojë me përkushtim në Federatën tonë”.
Presidenti Ademi gjithashtu theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në zhvillimin e burimeve njerëzore:
“Ne, si FFK, do të vazhdojmë të investojmë në të gjitha sektorët dhe të mbështesim të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Federatës dhe të futbollit kosovar”, shtoi ai në rrjetin social Instagram.
Programi ‘Executive Programme’ i FIFA-s është një iniciativë që synon të përgatisë zyrtarët e federatave anëtare për të adresuar sfidat moderne të qeverisjes në futboll, duke përfshirë transparencën, integritetin dhe përmirësimin e strukturave organizative.
FFK vazhdon të mbetet një shembull i qartë i përkushtimit për profesionalizim dhe përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha aspektet e menaxhimit sportiv.
