Salah theu rekordin e legjendës së Liverpoolit, Ian Rush

Mohamed Salah, mbrëmë në fitoren bindëse ndaj Sparta Pragës (6:1), në Ligën e Evropës, hyri në historinë e Liverpool-it.
Klubi nga Anfield ka pasur lojtarë më të mëdhenj se Salah në historinë e vet, nga ‘King Kenny’ Dalglish, përmes Ian Rush te Steven Gerrard, por askush nuk ka arritur të shënojë 20 ose më shumë gola në shtatë sezone radhazi në të gjitha garat.
Egjiptiani i pabesueshëm mbrëmë u bë lojtari i parë në historinë e “Reds” që e bëri këtë. Ai më parë ndau rekordin me Rush, i cili shënoi 20+ gola midis sezoneve 1981/82 dhe 1986/87 përpara se të transferohej në Juventus në verën e 1987.
Uellsiani legjendar u rikthye në Liverpool pas një viti dhe vazhdoi të shënojë gola, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit me gjithsej 346 gola.
Salah është aktualisht i pesti në listën e të gjitha kohërave me 206 gola, por arriti në këtë numër pasi luajti shumë më pak ndeshje (336) sesa Rush (660).
