Projekti “FIFA Arena” nis zbatimin në Prishtinë, dy fusha donacion nga FIFA
Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur fazën e parë të projektit “FIFA Arena”, një donacion i rëndësishëm nga FIFA, i cili ka për qëllim masovizimin e futbollit dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët dhe komunitetin që të angazhohen në sport.
Dy shkollat e para të përzgjedhura në kuadër të këtij projekti janë “Gjergj Fishta” dhe “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Të dyja shkollat tashmë po përfitojnë nga fushat moderne sportive, të cilat janë të dedikuara për përdorim nga nxënësit dhe banorët e zonës përreth.
Sipas presidentit të FFK-së, Agim Ademi, ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të infrastrukturës bazike dhe nxitjes së talenteve të reja.
“Me kënaqësi ju informoj se projekti ‘FIFA Arena’, një donacion i çmuar nga FIFA me qëllim masovizimin e futbollit dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët tanë, ka nisur zbatimin e tij në Komunën e Prishtinës. Dy shkollat e para të përzgjedhura në kuadër të këtij projekti janë: ‘Gjergj Fishta’ dhe ‘Hasan Prishtina’”, ka deklaruar Ademi.
Fushat janë financuar dhe furnizuar tërësisht nga FIFA, ndërsa instalimi po bëhet në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. Njëra prej fushave tashmë është përfunduar, ndërsa tjetra pritet të përfundojë brenda kësaj jave.
“Fushat janë donacion i FIFA-s dhe instalimi i tyre është duke u realizuar në bashkëpunim të plotë me Komunën e Prishtinës. Tërë procesi i furnizimit dhe montimit është i organizuar tërësisht nga FIFA”, ka shtuar presidenti.
Ademi ka falënderuar veçanërisht FIFA-n për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e futbollit në vend.
“Në emër të KE të FFK-së dhe komunitetit të futbollit e falënderoj sinqerisht FIFA-n për këtë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit në Kosovë”.
Projekti nuk do të ndalet me Prishtinën. Ai do të shtrihet edhe në shtatë regjionet tjera të Kosovës, duke krijuar edhe më shumë hapësira lojërash dhe trajnimi për të rinjtë.
“Ky projekt do të vazhdojë të zgjerohet në shtatë regjionet e tjera të vendit tonë, duke krijuar më shumë hapësira për fëmijët dhe komunitetin që të luajnë futboll dhe njëherësh të zbulojnë talentin e tyre. Trajnerët tanë do të jenë të pranishëm në këto fusha, me qëllim identifikimin dhe orientimin e talenteve të rinj drejt klubeve dhe shkollave të futbollit”.
Ademi thekson se “FIFA Arena” është pjesë e programit të FFK-së për masovizimin e futbollit dhe zhvillimin e kushteve optimale për brezat e rinj.
“Ky projekt është pjesë e programit të FFK-së për masovizimin e futbollit në Republikën e Kosovës dhe për krijimin e kushteve sa më të mira për gjeneratat e reja. Bashkë për futbollin!”, ka përfunduar presidenti i FFK-së.
