May 18, 2025

Prishtina e Re kampion i Grupit B në Ligën e Parë, siguron promovimin në Superligë

Prishtina e Re ka arritur suksesin më të madh në historinë e klubit duke u inkuadruar për herë të parë në elitën e futbollit kosovar, AlbiMall Superligë.

Ky sukses historik erdhi pas triumfit në Grupin B të Ligës së Parë, ku Prishtina e Re u shpall kampione pas fitores bindëse ndaj Kikës në xhiron e fundit të kampionatit, me rezultat 3:1, falë dy golave të Astrit Berishës dhe një Abdoul Razack.

Skuadra nga kryeqyteti përfundoi kampionatin në pozitën e parë me 69 pikë, duke lënë pas Vushtrrinë në vendin e dytë me 67 pikë. Vendi i parë në grup siguron direkt ngjitjen në Superligë, ndërsa vendi i dytë siguron të drejtën për të luajtur në ndeshjen e barazhit për “play-off”-in e Superligës.

Pas ndeshjes, kampionëve të Grupit B u janë ndarë medaljet dhe trofeu nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ndërkohë, pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve në Ligën e Parë, janë përcaktuar edhe skuadrat që do të përballen në ndeshjen e barazhit për “play-off”-in e Superligës. Liria, si nënkampione e Grupit A, do të përballet me Vushtrrinë, nënkampione të Grupit B, më 24 maj në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Në anën tjetër, nga Liga e Parë këtë edicion kanë rënë katër skuadra: Rahoveci, Mitrovica, Flamurtari dhe Fushë Kosova, të cilat do të garojnë në Ligën e Dytë. Në edicionin e ri Liga e Parë do të funksionojë si ligë unike, me 16 skuadra.

E presidenti Agim Ademi, i cili nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e shpalljes së kampionit të Grupit B për shkak të udhëtimit nga Paraguai, ku mori pjesë në Kongresin e FIFA-s, e ka uruar klubin kryeqytetas përmes një mesazhi.

“Përgëzojmë FC Prishtina e Re për triumfin në Grupin B të Ligës së Parë dhe për realizimin e ëndrrës –ngjitjen në elitën e futbollit kosovar. Ky sukses është rezultat i një pune të palodhshme, përkushtimit të jashtëzakonshëm të futbollistëve, stafit teknik dhe gjithë klubit, të cilët me profesionalizëm dhe vizion ndërtuan një ekip të denjë për Superligë. FC Prishtina e Re, edhe pse një klub i ri, po dëshmon se me punë dhe ide të qarta mund të arrihen gjëra të mëdha. Tani kryeqyteti po pasurohet me një tjetër klub në elitë, e që sigurisht se do ta rrisë cilësinë, rivalitetin por edhe emocionet. Urime titulli kampion FC Prishtina e Re dhe gjithë tifozëve që besuan në këtë projekt. Suksese në Superligë!”, ka shkruar Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *