April 18, 2025

Prishtina e “plagosur” del fituese ndaj Dritës në ndeshjen e parë gjysmëfinale

Prishtina ka shënuar një fitore të madhe në përballjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, duke e mposhtur Dritën si mysafire me rezultat 1:0, ndonëse nga minuta e 26-të luajti me dhjetë futbollistë.

Skuadra kryeqytetase e zgjidhi fatin e ndeshjes qysh në fillim, kur Ardian Muja realizoi saktë nga pika e bardhë në minutën e pestë, pas një penalltie të fituar që i dha avantazhin Prishtinës.

Pavarësisht disavantazhit numerik, pas përjashtimit të Ardian Limanit në minutën e 26-të për ndërhyrje të ashpër, Prishtina menaxhoi me maturi pjesën e mbetur të ndeshjes. Drita, që udhëheq renditjen e Superligës, dominoi në posedim të topit në pjesën e dytë, por nuk arriti të thyejë mbrojtjen e mirëorganziuar të mysafirëve.

Portieri Kolaj pati pak punë, por në rastet kur u testua, reagoi me siguri, duke ruajtur rrjetën e paprekur.

Kjo ishte ndeshja e parë në krye të Prishtinës për trajnerin Arsim Thaqi, që pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij arriti një debutim të suksesshëm. Me këtë fitore, Prishtina e hedh hapin e parë drejt finales së madhe të Kupës së Kosovës, ndërsa gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit më 23 prill në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *