Presidenti i FFK-së viziton klubet dhe gjyqtarët e Ligës së Parë në Durrës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja, kanë qëndruar në Durrës, ku kanë zhvilluar takime me klubet e Ligës së Parë, të cilat po realizojnë fazën përgatitore në bregdetin shqiptar, si dhe me gjyqtarët e kësaj lige, të cilët po zhvillojnë seminarin dhe testet fizike për të qenë të gatshëm për vazhdimin e garave.
Gjatë takimeve me drejtuesit dhe stafin e FC Trepça, FC Drenica dhe FC Besa Peja, presidenti Ademi ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre për të krijuar kushte optimale për futbollistët. Ai theksoi rëndësinë e përgatitjeve të tilla në arritjen e rezultateve të suksesshme gjatë stinorit pranveror.
“Falë rritjes së organizimit të klubeve, niveli i Ligës së Parë tashmë është rritur dukshëm, duke e bërë kampionatin shumë interesant dhe konkurrues në të dyja grupet”, u shpreh presidenti Ademi në Instagram. Ai gjithashtu vuri theksin në domosdoshmërinë që gjyqtarët të jenë në nivelin më të lartë të përgatitjes, duke garantuar ndarjen e drejtësisë në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
Shiko këtë postim në Instagram