Presidenti i FFK-së uron 8 Marsin, vë në pah rolin e grave në futboll

Në një mesazh të ngrohtë dhe plot vlerësim, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri dhe sport.
“Urime 8 Marsi! Në këtë ditë feste, dua të shpreh vlerësimin dhe mbështetjen e pakursyer për rolin e pazëvendësueshëm të grave dhe vajzave në shoqërinë dhe sportin tonë. Ato janë frymëzimi, forca dhe themeli i çdo suksesi që ne arrijmë si shoqëri e shtet”, u shpreh Ademi.
Presidenti Ademi theksoi gjithashtu angazhimin e FFK-së për barazi gjinore, duke siguruar që gratë dhe vajzat të jenë të përfshira në çdo segment të futbollit. “Si Federatë e Futbollit të Kosovës, jemi të vetëdijshëm se aty ku ka barazi, ka edhe progres. Prandaj, gratë dhe vajzat i kemi përfshirë në çdo segment”, shtoi ai.
Në mesazhin e tij, ai nuk harroi të përmendë se pa gratë dhe vajzat futbolli nuk do të kishte të njëjtin emocion, pasion dhe dinamikë.
“Falënderim dhe mirënjohje të gjitha grave dhe vajzave për kontributin e tyre të çmuar, që e bëjnë shoqërinë tonë më të drejtë dhe më të zhvilluar. Ato janë zemra e familjes, por edhe forca e pandalshme e rritjes së sportit. Suksesi i futbollit dhe i çdo sporti tjetër fillon me mbështetjen për vajzat e gratë. Pa pjesëmarrjen e tyre, futbolli nuk do të kishte të njëjtin emocion, pasion dhe dinamikë,” tha Ademi.