Presidenti Ademi: U zgjuam nga gjumi, por jo nga ëndrra! Bashkë deri në Botëror, deri në Amerikë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shpërndarë një mesazh tejet emocional dhe motivues pas suksesit historik të Kombëtares së Kosovës, e cila tashmë ka siguruar pjesëmarrjen në “Play-off”-in e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ai ka theksuar se ky moment përbën njërën ndër arritjet më të mëdha në historinë e futbollit të vendit – vetëm nëntë vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
“U zgjuam nga gjumi, por jo nga ëndrra!”, kështu e nis presidenti Ademi mesazhin e tij drejtuar Dardanëve, qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarëve kudo në botë.
Presidenti Ademi vlerëson zemrën, karakterin dhe sakrificën e futbollistëve dardanë, të cilët e ngritën Kosovën në lartësi ku pak kush besonte se mund të arrinte.
“Askush nuk mendonte se do të përfundonim mbi Suedinë e Slloveninë. Askush, përveç nesh që besuam te djemtë tanë të artë”, thekson ai, duke nënvizuar frymën fituese që karakterizoi këtë cikël historik.
Postimi i plotë i Ademit:
U zgjuam nga gjumi, por jo nga ëndrra!
Të dashur Dardanë, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ju bashkatdhetarë,
Sot, Kosova është pjesë e “Play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Një arritje historike për futbollin tonë, vetëm 9 vjet pasi u pranuam në UEFA dhe FIFA. Kjo është një mrekulli që lindi nga zemra, karakteri dhe sakrifica e futbollistëve tanë dardanë, të cilët e ngritën vendin tonë në lartësi ku pak kush besonte se mund të mbërrinim. Askush nuk mendonte se Kosova do të përfundonte mbi Suedinë e Slloveninë. Askush, përveç nesh që besuam te djemtë tanë të artë. Të martën përballemi me Zvicrën, që praktikisht e ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt. Por ne duam fitoren për të treguar rrugën e vërtetë që bëmë. Duam të dëshmojmë se ishim fituesit moralë të këtij grupi dhe se meritojmë kualifikimim në Botëror. Këta djem kishin gjithmonë mbështetjen e popullit, por tashmë e kanë fituar edhe respektin e Evropës e botës. Dua të falënderoj me gjithë zemër stafin e Kombëtares në krye me përzgjedhësin Franco Foda, futbollistët që janë heronjtë e Republikës së Kosovës, stafin mjekësor dhe teknik, si dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm “Dardanët” dhe gjithë bashkatdhetarët që po e mbushin çdo stadium me flamuj, me jehonë dhe me dashuri për Kosovën. Urime të gjithë anëtarëve të Federatës dhe ekipit organizativ të ndeshjeve, si dhe secilit që punon e kontribuon për këtë rrugëtim. Kjo arritje u takon edhe atyre që kontribuuan me dekada dhe që sot nuk janë më mes nesh dhe të gjithë atyre që derdhën djersë në futbollin e Kosovës që nga periudha e sakrificës. Jemi bërë histori suksesi, të vlerësuar zyrtarisht nga UEFA dhe FIFA për progresin, organizimin dhe rezultatet e arritura në vetëm 9 vite. Jemi komb i vogël por me shpirt të madh, me kreativitet, punë, besim dhe ambicie. Besoj në këta futbollistë. Besoj në këtë staf. Besoj në këtë popull. Të qëndrojmë bashkë, të ecim bashkë sepse Kosova është e të gjithëve dhe së bashku do të vazhdojmë ta lartësojmë e ta bëjmë krenare. Tani na ndajnë vetëm dy hapa nga Amerika dhe besimi ynë është më i fortë se kurrë. Të ecim tutje të bashkuar me ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi dhe me ata që do të vijnë në mënyrë që t’ia arrijmë qëllimit madhor dhe të shkojmë në Botëror e ta prezantojmë siç është më së miri shtetin dhe popullin tonë. T’i dëshmojmë pikësëpari aleatit tonë kryesor SHBA-së dhe miqve tjerë se ky është populli fisnik për të cilin janë angazhuar që ta ndihmojnë ta fitojë lirinë dhe të bëhet shtet sovran. Le ta sheh bota kreativitetin, mirësinë, zotësinë dhe intelektin e këtij populli. Bashkë deri në fund. Deri në Botëror. Deri në Amerikë. Forca Kosovë!
