Pioli nuk dorëzohet: Ne duam ta përmbysim Interin dhe të shkojmë në finale

Milani e nis nga humbja 2-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, megjithatë trajneri i kuqezinjve nuk dorëzohet. “Gjendja shpirtërore është ajo e një ekipi që ka një mundësi të madhe përpara, – përsëriti ai për “Sky Sport”. – Jemi të fokusuar në përmbysjen e parashikimeve që na shohin si të dobët.
Në këtë pikë duam finalen, por duhet të luajmë një ndeshje ndryshe nga euro-derbi i para një jave. Është çështje e kokës dhe cilësisë së lojës. Do të fitojmë nëse arrijmë të luajmë më mirë se Interi, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos gabojmë”.
Disa fjalë për tifozët dhe për atë që ndodhi në La Spezia dhe Milanello, në ditët e mëparshme: “Tifozët e Milanit kanë bërë gjithmonë diferencën. Ata kanë qenë gjithmonë me ne. Sonte do të jenë në Milanello, të gjithë e dimë historinë e këtij klubi, duam të jemi pjesë e tij duke shkruar faqe të rëndësishme. Do të luajmë me emocion dhe pasion”.
Pioli tashmë e ka të qartë formacionin e nesërm: “Ne do të duhet të jemi të ekuilibruar dhe kompakt. Është e qartë se të kaluarit në epërsi do të ishte thelbësore, por nuk ka rëndësi se kur. E rëndësishme është të shënosh gola”. Pioli po përgatit një fjalim të veçantë inkurajues për të tijtë: “Nuk duhet të harrojmë ndeshjen e parë. Kemi vetëm një shans, ndaj duhet të jemi shumë solidë.
Nuk është e lehtë të përgatitemi për ndeshjen e nesërme, por duam të fitojmë. Me fitoren gjithçka bëhet më e lehtë. Duhet të rifillojmë nga pjesa e dytë e ndeshjes së parë me Interin dhe ta rrisim nivelin e lojës. Ndeshja është e gjatë, duam ta nisim mirë, por duhet të jemi të përgatitur të bëjmë sa më pak gabime dhe të shfrytëzojmë gabimet e kundërshtarit.
Nuk duhet t’i humbasim prekjet dhe duelet që ta kemi vrullin e ndeshjes në favorin tonë. Nuk kemi folur asnjëherë për humbjen ndaj Spezia, por vetëm për ndeshjen ndaj Interit. Ka shumë gjëra brenda. Këto janë ndeshje që një trajner endërron t’i jetojë. Ne mund ta përmbysim gjithçka. Bennacer? Nuk e kam, nesër do të kryejë operacionin, i uroj fat të mirë”.
Intuita e Calhanoglu si “playmaker” nuk duket se ka bërë diferencën në derbet e fundit, sipas Piolit: “Nuk mendoj se pozicioni i Calhanoglu si ‘playmaker’ na ka vënë në telashe në tre derbet e fundit që kemi humbur”.
Vëmendja te topat e lartë do të jetë thelbësore: “Ne nuk jemi një skuadër aq e gjatë si centimetra, por duhet të jemi më të kujdesshëm, sepse kjo është një pikë e fortë e kundërshtarëve tanë. Ne duhet të jemi të mirë në shfrytëzimin maksimal të mundësive që do të na japë Interi”.