Newcastle i jep fund serisë së fitoreve të Arsenalit

Arsenali nuk arriti të festojë në Emirates në ndeshjen e parë të vitit të ri ndaj Newcastle. Mysafirët arritën të ndalin sulmin e rrezikshëm të skuadrës së Mikel Artetës dhe ta mbyllin ndeshjen pa gola. Tashmë “Topçinjtë” kanë 44 pikë, tetë më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak.
Arsenali pati disa raste të mira, teksa Nketiah në fund humbi rastin më të mirë.
Manchester United arriti një fitore bindëse (3:0) në shtëpi ndaj Bournemouth dhe barazoi pikët me Newcastle në pozitën e tretë të Ligës Premiere. Skuadra e Erik ten Haag tregoi cilësi dhe fitoi me meritë tre pikët. Casemiro solli avantazhin për “Djajtë e Kuq” me golin e minutës së 23-të. Në fillim të pjesës së dytë, Luke Shaw çoi shifrat në 2:0, derisa goli i tretë ishte vepër e Marcus Rashford.
Aleksandar Mitroviq shënoi golin e fitores për Fulhamin (0:1) si mysafir kundër Leicesterit, derisa Brighton ishte bindës (1:4) si mysafir ndaj Evertonit. Mitoma, Ferguson, March dhe Gross ishin golashënuesit për Brighton në këtë ndeshje.